Tre pjesëtarë të familjes Hatjani nga fshati Gungas i Lushnjes, një prej të cilave e paaftë mendërisht dhe fizikisht jetojnë në kushte ekstreme të varfërisë.
Banesa e tyre është pothuajse e rrënuar, ndërsa e vetmja e ardhur për ta janë 2700 lekë të reja ndihmë ekonomike, e cila sipas kryefamiljares është e pamjaftueshme për të përballuar jetesën.
Duke mos patur asnjë mundësi për të dalë nga kjo varfëri e cila është ulur këmbëkryq në familjen e saj, Sanija e divorcuar nga bashkëshorti i bën thirrje të gjithkujt që ka mundësi për ta ndihmuar që edhe djali i saj 13 vjeçar të jetoje si të gjithë moshatarët e tij.
"Unë jetoj në këtë shtëpi të shkatërruar. Çfarë bie jashtë bie brenda. Nuk kemi as të hamë dhe as të pimë. Kam një motër të sëmurë e cila me zor ecën. Unë ja bëj të gjitha shërbimet. Kam dhe një fëmijë. Nuk ka i shkreti me çfarë të jetoje, e shikoni vetë se si jetoj unë. Kam vite që jetoj në këtë shtëpi të shkatërrume. Me zor sigurojmë një kore bukë të thatë. 27 mijë lek më ka dhënë bashkia sa për një thes miell. Nuk kemi mundësi më shumë për të ju ndihmuar thotë. Ju bëj thirrje që të më ndihmoni të më riparoni këtë shtëpi se kam frikë mos më zë brenda. Vetë nuk kam asnjë mundësi ta rregulloj." ka thënë Sanije Hatjani.
Tek kjo familje askush deri më sot nuk ka trokitur në derë për ti ndihmuar përveç disa ndihmave modeste të ardhura nga bashkëfshatarë dhe qytetarë të ndryshëm të cilat janë të pamjaftueshme për të bërë një jetë normale .