TIRANE- Pas këmbënguljes së madhe të opozitës, më në fund maxhoranca pranon që të fusë në punimet e Kuvendit projektligjin për mbikqyrjen parlamentare të Shërbimeve informative dhe të sigurisë në vend, i cili parashikon ngritjen e një nënkomisioni që të mundësojë ushtrimin e një mbikqyrje parlamentare efikase mbi shërbimet informative dhe të sigurisë, në veçanti mbi ligjshmërinë e aktivitetit dhe veprimtarisë së tyre mbi buxhetin dhe shpenzimet e tyre financiare si dhe nivelin mbikqyrës demokratik të ushtruar nga qeveria.

Ky nënkomision do të drejtohet nga nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni. Nënkomisioni do t`i paraqesë Kuvendit raportin mbi punën e tij gjatë vitit dhe përfundimet e përgjithshme të mbikqyrjes dhe i propozon Kuvendit të miratojë qëndrimet dhe vendimet lidhur me këtë mbikqyrje.

Mbikqyrja e shërbimeve informative është veprimtari e domosdoshme sepse mënjanon tensionet që krijohen midis shërbimit të fshehtë dhe demokracisë. Sipas relacionit të ligjit, Kuvendi duhet të informohet për aktivitetin e SHISH. Takimet e këtij nënkomisioni bëhen me dyer të mbyllura.

(sg/shqiptarja.com)