Zhvarroset një kufomë në Librazhd, dyshohet se mund të jetë ‘Reni i Elbasanit’ i zhdukur në 2014-ën

Autoritetet mund të jenë drejt zbulimit të fatit të Renato Hamzës, i njohur ndryshe si ‘Reni i Elbasanit’ si këngëtar i famshëm tallavaje. Burime për Report Tv bëjnë me dije se policia ka zhvarrosur një kufomë në një fshat të Librazhdit, që mbetet ende e paidentifikuar. Ka dyshime se këngëtari mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal por ende nuk ka asnjë detaj në lidhje me këtw.

Prokuroria e Elbasanit ka dyshime të forta se kjo kufomë i përket Renato Hamzës, i zhdukur prej tetë vitesh. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës është bërë e mundur zhvarrosja e eshtrave në fjalë, të cilat do të dërgohen për të kryer analizat e ADN-së me krahasimin e atyre të nënës së Renato Hamzës, për t'i dhënë fund dyshimeve. Eshtrat në fjalë janë gjetur në Librazhd dhe kanë mbetur të paidentifikuara sot e kësaj dite, ndërsa askush nuk ka shfaqur interes për to.

Me zhvarrosjen e kryer të mërkurën, tashmë zyrtarisht rihapen hetimet për ngjarjen në fjalë, teksa tetë vite nga zhdukja, askush nuk di për fatin e të riut edhe pse dyshimet janë se ai mund të jetë eliminuar nga eksponentë të grupeve kriminale që bazën e kanë në Elbasan dhe rrethina.

Kujtojmë se pak më shumë se një muaj më parë, Deniz Klironomi, i cili u arrestua si trafikant, dyshohet se ka gisht në zhdukjen e këngëtarit nga Elbasani, rreth 8 vite më parë.  Në shkurt të vitit 2020, emisioni ‘Pa Gjurmë’ në Report Tv ka zbuluar detaje nga zhdukja e tij, i cili herën e fundit ishte takuar me 2 persona nga Shijaku, Indrit Shaqja dhe Denis Xhija. Megjithëse rezulton i përfshirë në rrjetin e prostitucionit, nuk ka të dhëna se Renato mund të jetë vrarë për këtë arsye. Në orën 8 të mbrëmjes, ka takuar dy djemtë nga Shijaku. Ai nuk e njihte Denisin, por Indriti ka bërë prezantimin e tyre. Indrit Shaqja ishte veshur me bluzë bojëqielli, me pantallona treçerekshe, me shapka dhe me një çantë të hedhur krahëve ndërsa pranë tij kishte Denisin. Rreth 15 minuta pas takimit me ta, telefoni rezulton i fikur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:46
Kufoma e zhvarrosur në Librazhd dyshohet se i përket 'Renit të Elbasanit', nëna: S'kam lënë vend pa e kërkuar! Nuk kam varr ku ta qaj! Më kanë fshehur krimin e djalit

 

Nëna e Renato Hamzës, i njohur si ‘Reni i Elbasanit’ ka thënë se ka shpresa se ADN-ja dhe ekspertiza do të provojnë se kufoma e zhvarrosur në Librazhd të jetë e të birit. Pas arrestimit të Deniz Xhijës, i njohur me nofkën ‘Gucci’ shqiptar që u kap në Kolumbi, nëna rrëfen e dëshpëruar se ka ngulmuar akoma më shumë që të zbardhej çështja.

Me lot në sy shprehet se nuk ka një varr ku të qajë të birin ndërsa ngre akuza ndaj Shefit të Krimeve dhe prokurorit se i kanë fshehur krimin. Sipas saj, sa herë pyeste për djalin, merrte të njëjtë përgjigje se nuk ishte vrarë. Gjithashtu vijon të akuzojë ish të dashurën e të birit si bashkëpunëtore në krimin që i mori jetën.

“Pasi u kap në Kolumbi ky Deniz Xhija, edhe unë kam ngulmuar shumë për kufomën e djalit. Nuk kam lënë vend pa e kërkuar. Megjithë këmbënguljen time që të bëhet ADN-ja e të gjenim një të vërtetë për trupin e djalit, ekspertiza bashkë me policinë nuk më kanë treguar. Pasi e varrosën në Librazhd, nuk kisha ku ta kërkoja më. Prokurori dhe policia jonë nuk bën asnjë punë. E ndjeja se vetëm për atë kufomë qaja gjithmonë, nuk kam një varr ku ta qaj.

Jam mëse e bindur se ai është Renato se nuk ngulja këmbë kot për atë kufomë. Kufomën e varrosën në Librazhd pa emër. Policia nuk më dha asnjë shenjë për të më treguar rrobat, orën apo byzylykun. Kur hapën njëherë një dosje, shkruante copa xhinsi, një dhëmb porcelani. Këta më gënjyen, djali im kishte një dhëmb të hequr. Ma kanë fshehur krimin e djalit nga fillim deri në fund për shkak të pagesave që janë bërë. Shefi i Krimeve dhe prokurori më kanë bërë presion.

Dyshoj se e kanë vrarë 2 djemtë Denizi me Indritin, por edhe ish e dashura është bashkëpunëtore”, rrëfen nëna.

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare