Cristian Shpendi ka rinovuar kontratën me skuadrën e Cesenas në Serie B të Italisë deri në vitin 2028.
21-vjeçari i Shpresave këtë sezon ka shënuar dhjetë gola në 14 paraqitje dhe shumë klube në Serie A, përfshirë dhe Fiorentinën e Napolin janë pas tij.
‘’Cesena FC njofton se ka zgjatur marrëdhënien e saj sportive me sulmuesin Cristian Shpendi deri më 30 qershor 2028. Pasi mbërriti në sektorin e të rinjve në verën e vitit 2019, sulmuesi i lindur në vitin 2003 fillimisht luajti në ekipet U-17 dhe Primavera, përpara se të bënte debutimin e tij në ekipin e parë në fillim të sezonit 2021/2022.
Ndër protagonistët e fitores së kampionatit të Serisë C 2023/2024, me fanellën e Cesena FC ka shënuar 35 gola në 80 paraqitje të përgjithshme deri më sot. E gjithë familja e Cesena FC i uron fat Cristianit, ndërsa ai vazhdon aventurën e tij bardh e zi’’, njofton Cesena.
Forma e mirë ka bërë që shumë klube të jenë pas tij, ndërsa Cristiani në një bisedë të fundit ka thënë se priste një ftesë nga Sylvinho dhe se do e mendonte nëse Italia do e telefononte për një shans në kombëtare.