Raporti i kredive me probleme u rrit lehtë në muajin maj. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë 3.77% e totalit të kredisë së dhënë për ekonominë konsiderohet me “probleme”, nga 3.75% që ishte në muajin prill.

KREDITË ME PROBLEME
Prill 2026         3.75%
Maj 2026         3.77%
Diferenca       +0.02%

Kurse në raport me majin e vitit të kaluar, kreditë me probleme rezultojnë në rënie me 0.35%. Por edhe pse në përqindje janë në rënie, në vlerë huaja e keqe është rritur me 3.8 miliardë lekë në krahasim me majin e 2025-ës.

Në total portofoli i kredisë së keqe vlerësohet 36.8 miliardë lekë, dhe rezulton në rritje për shkak të rritjes edhe të totalit të kredisë që është dhënë për ekonominë.

VLERA E KREDIVE ME PROBLEME
Maj 2025           33 mld lekë
Maj 2026        36.8 mld lekë
Diferenca       +3.8 mld lekë

Në raportin vjetor të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë thuhet se gjatë vitit të kaluar rënia më e madhe është regjistruar tek kredia me probleme që kishin bizneset.

“Treguesi i kredisë me probleme për biznesin ka rënë me 0.5 p.p, duke shkuar në nivelin e 4.7%, ndërkohë që edhe për individët ka rënë me 0.3 pikë përqindjeje kundrejt një viti më parë, duke qëndruar në nivelin 2.6%”, thuhet në raport.

Ndërsa sipas monedhës rënia më e madhe e kredisë me probleme është tek ajo që është marrë në valutë, për shkak të zhvlerësimit të kursit të këmbimit. Rënia e euros dhe dollarit përballë lekut, i ka bërë më të lira këstet e kthimit të kredisë.

“Për sa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës, rezulton se treguesi i kredive me probleme në valutë ka pësuar një rënie me 0.6 p.p., duke arritur në nivelin 2.8%. Gjithashtu, edhe treguesi i kredive në Lek ka pësuar një rënie, por më të lehtë, me 0.2 p.p., duke arritur në nivelin 4.6% në fund të vitit 2025”, theksohet në raport.