Vend i sigurt nga COVID, BE heq kufizimet për udhëtim për shqiptarët! Rama: Ia dolëm edhe në këtë sfidë se ne s'ndalemi në ngjitjen drejt majës

Situata e qetë e COVID në vendin tonë dhe rënia e shifrave të infektimit si rezultat i vaksinimit, u ka dhënë lirinë shqiptarëve që të udhëtojnë në vendet e BE. Vendimi është marrë sot nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së të cilët kanë vendosur të fusin Shqipërinë te vendet e sigurta sa i përket infeksionit COVID, duke sjellë udhëtim të lirë drejt Bashkimit Evropian. Lëvizja pa arsye madhore do të nisë prej datës 27 qershor. Ky vendim është përshëndetur edhe nga kryeministri Edi Rama i cili tha se ia dolëm edhe kësaj sfide, duke theksuar se ne nuk ndalemi në ngjitjen tonë drejt majës.

"Dritë jeshile" udhëtim të lirë është dhënë edhe për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në listën e vendeve të sigurta, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë futur edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongun, Makaon, Arabinë Saudite dhe Tajvanin.

Portugalia, e cila mban presidencën aktuale të BE-së, ka përpiluar listën e vendeve, të dhënat e të cilave tregojnë se janë të sigurta sa i përket infeksionit me koronavirus. Pavarësisht vendimit, ndonjë nga shtetet anëtare mund të vazhdojë të kërkojë test negativ për COVID-19 ose një periudhë karantine.

Çështja e shëndetit është në kompetencën kombëtare të secilit shtet anëtar të BE-së, prandaj, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar koronavirusin. Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit.

Kujtojmë se Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA e ka futur Shqipërinë te vendet me nivel të ulët rreziku të infektimit nga COVID.  Shqipëria më herët ka arritur marrëveshje me një vend anëtar të BE, Hungarinë, për njohjen e ndërsjelltë të certifikatave të vaksinimit kundër COVID. Me finalizimin e marrëveshjes, njihen të gjitha llojet e vaksinave për hapjen e kufijve për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, duke përfshirë edhe arsyet e turizmit.

Që prej fillimit të fushatës së imunizimit në vendin tonë në total janë vaksinuar kundër COVID 848 430 qytetarë. Vlora është qarku i parë në vend që nuk ka asnjë rast aktiv me COVID, kurse në të gjithë vendin aktualisht janë 136 raste aktive. Në 24 orët e fundit ministria e Shëndetësisë raportoi se është shënuar 1 humbje jete dhe 8 raste të reja nga 3375 testime të kryera.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:42
BE heq kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë, Rama: Ia dolëm! Ne nuk ndalemi më në ngjitjen tonë drejt majës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Bashkimi Evropian ka hequr kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga Shqipëria.

“Lajmi që prisnim”, shkruan kryeministri përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, duke shtuar se ia dolën edhe kësaj sfide.

“Sepse ne, Shqipëria, nuk ndalemi më në ngjitjen tonë drejt majës ku e meritojnë fëmijët tanë”, shtoi Rama.

Ora 12:12
Hiqen kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë drejt BE, Manastirliu: Lajm i shumëpritur dhe shenjë se po shkojmë drejt normalizimit

Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar lidhur heqjen e kufizimeve të udhëtimit për Shqipërinë drejt Bashkimi Evropian.

Përmes rrjetit të saj social Facebook, Manastirliu e konsideron këtë lajm të shumëpritur për të gjithë shqiptarët, duke shtuar se kjo është një shenjë se po shkojmë drejt normalitetit që të gjithë dëshirojmë.

Ministrja në fund të postimit të saj ka ngritur edhe një apel për të gjithë qytetarët, të mos e ulim vigjilencën, në këto metra të fundit drejt daljes nga tuneli i gjatë i pandemisë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS