Në mes të pandemisë Covid, fillon fushata zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

Në mes të pandemisë Covid, fillon fushata zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar sot zyrtarisht fushatën zgjedhore. Autoritetet dhe pjesëmarrësit në proces do të zbatojnë një sërë masash dhe protokollesh për t’u mbrojtur nga koronavirusi, teksa në vend situata është bërë mjaftë shqetësuese me më shumë se 250 viktima nga koronavirusi

Megjithëse partitë politike kanë filluar në një mënyrë fushatën e tyre që para rreth një jave, sot ato zyrtarisht e hapën fushatën me takime të vogla e pa shumë njerëz, apo përmes konferencave të shtypit, për shkak të rrethanave të pandemisë.

Maqedonia e Veriut më 15 korrik mban zgjedhjet e dhjeta parlamentare që nga pavarësia, por për herë të parë në rrethana të këtilla ku masat e protokollet dhe aspekti shëndetësor pritet të mbizotërojnë procesin.

Partitë që aktualisht përbëjnë koalicionin qeveritar, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë shënuar një ftohje raportesh, teksa ish-kryeministri Zoran Zaev është shprehur se “do të ishte mirë për vetë BDI-në dhe shtetin që kjo parti të kalojë në opozitë”. Kjo, pasi partia shqiptare ka dalë me një propozim për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ide kjo që ka hasur në kundërshtinë e politikanëve maqedonas dhe në skepticizmin e partive të tjera shqiptare, të cilat e quajnë këtë një paraqitje populiste të partisë së Ali Ahmetit.

BDI-ja e bëri të ditur sot nga Prespa emrin e kandidatit të saj për kryeministër, Naser Ziberi, ish-deputet e ish-ministër i Partisë për Prosperitet Demokratik dhe pjesëmarrës në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit para 19 vjetësh.

Dy partitë e tjera shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kësaj radhe dalin në koalicion dhe kjo sipas analistëve mund t’i sjellë përkrahjen edhe të një pjese të pakënaqur të elektoratit të partive të tjera shqiptare, eventualisht dhe të votuesve të pavendosur shqiptarë.

Lëvizja Besa shkon në koalicion me Lidhjen Social Demokrate, ndërsa Bilall Kasami do të jetë kryesues i listës zgjedhore në njërën prej gjashtë zonave zgjedhore. Partia Demokratike Shqiptare do të shkojë e vetme në zgjedhjet e 15 korrikut.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate shpreson të fitojë edhe vota të elektoratit shqiptar. Krahas koalicionit me Lëvizjen Besa ajo ka futur edhe disa kandidatë shqiptarë në listat e saj.

Partia konservatore VMRO-DPMNE, sipas disa sondazheve qëndron shumë afër Lidhjes Social Demokrate; VMRO-ja nuk e pranoi me dëshirë që zgjedhjet e parakohshme të mbaheshin në rrethana të pandemisë, por mundësia e zhytjes së vendit në një krizë më të thellë institucionale dhe politike për shkak se parlamenti është i shpërndarë dhe jofunksional, teksa qeveria teknike nuk ka të gjitha kompetencat, bëri që opozita maqedonase të hyjë në garë më 15 korrik.

Zyrtarë të misionit të ODIHR-it tashmë kanë mbërritur në Shkup dhe vëzhgues të tjerë pritet të arrijnë më pas.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën