"Në moshën 6 vjeçare mundi 'Mjeshtren e Sportit' por i’a ndaluan shahun, pasi unë kisha qenë i burgosur…", dëshmia e rrallë për vajzën që iu kushtua filmi ‘Dy herë mat’

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Rozana Gjergjit, legjendës së shahut shqiptar, e cila që në moshën 6-vjeçare aktivizohej me ekipin e të rriturave dhe fitoi disa kupa, medalje e vende të para në disa gara e takime shahu të cilat zakonisht zhvilloheshin tek Klubi i Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë, siç ishte ai me Mjeshtren e Sportit, Liri Bajo. Dëshmia e rrallë e babait të Rozanës, Kolec Gjergji Vistari, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1939 ditën që po martohej dhe po shkonte të merrte nusen, duke u dënuar me 13 vite burg politik, me akuzën që bashkë me të vëllanë Ndocin, kishin dashur të hidhnin në erë bustin e Stalinit në Tiranë. Si i’a ndaluan Rozanës pjesëmarrjen në aktivitetet sportive të shahut në vitin 1983 kur ajo në moshën 7-vjeçare aktivizohej me ekipin e të të rriturave të Klubit Sportiv “Dajti” dhe fitoi disa kupa, medalje e vende të para në disa gara e takime shahu, të cilat zakonisht zhvilloheshin tek Klubi i Kulturës “Ali Kelmendi”, si dhe ndërhyrja e deri tek Enver Hoxha që i dha lejen për të luajtur, gjë e cila bëri që ajo më pas të shpalljen ‘Mjeshtre e Sportit’, kampione absolute e Shqipërisë, duke fituar edhe në shumë aktivitete ndërkombëtare, e t’i kushtohej filmi artistik ‘Dy herë mat’, i Kinostudios “Shqipëria e Re”.

“Aty nga viti 1982 kur Rozana nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç ajo luante me të rriturat dhe fitoi disa kupa, medalje e vende të para në disa gara e takime shahu të cilat zakonisht zhvilloheshin tek Klubi i Kulturës “Ali Kelmendi”. Pas gjithë këtyre sukseseve, në familjen tonë erdhi lajmi, apo më mirë me thënë “mandata”, se vajza nuk do të lejohej më që të merrte pjesë në asnjë lloj gare apo aktiviteti shahistik. Këtë pezullim që i bënë Rozanës, duke e shkëputur atë nga shahu, ne e konsideruam si një nga fatkeqsitë më të mëdha familjare që na kishte ndodhur deri atëherë, njëlloj si burgosja ime apo e vëllait Ndocit. Në atë kohë, Rozana gjashtë vjeçare, qante në shtëpi dhe më kërkonte që ta çoja në takimet e shahut duke më thënë: ‘Babi më dërgo të luaj, se do të fitojë kupa përsëri’. Unë nuk dija se çfarë të bëja dhe i thosha se e kishim shtëpinë shumë të vogël e të ngushtë dhe nuk kishim vend për t’i mbajtur kupat. Por ajo më përgjigjej: ‘Po mirë babi, s’ka gjë se i çojmë tek xhaxhi Ndoci’. Duke u ndodhur përpara asaj situate tepër të vështirë e ndoshta dhe tragjike, për të mos i prishur vajzës ëndrrën e saj fëminore, u detyrova dhe trokita tek miqtë e mi që nuk më kishin braktisur akoma. Ramadan Pasmaçiu, ishte njeriu që m’u gjend pranë dhe ai ndërhyri deri tek Enver Hoxha”.

Kështu e kujtonte në mes të tjerash historinë e vajzës së tij, Kolec Gjergji (Vistari), ish – i burgosur politik dhe shkrimtar e publicist i njohur, i cili tregonte peripecitë që kishte kaluar gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, për të bërë të mundur që vajza e tij Rozana Gjergji, një nga talentet e shahut shqiptar që çuditi mbarë opinionin sportiv duke dalë kampione me të rriturat që në moshën gjashtë vjeçare, të lejohej që të ulej përpara katrorëve të zezë në skakierat e shahut. Po cila është Rozana Gjergji dhe nga çfarë familje rrjedh ajo? Kur e filloi lojën e shahut dhe cilat ishin shtysat e para që e ulën atë mbi katrorët e zezë? Si u ul ajo për herë të parë mbi tavolinën e shahut në aktivitetet zyrtare dhe si mundi që të fitonte vendet e para dhe të dilte kampione me të rriturat që në moshën gjashtë vjeçare? Përse pas këtyre sukseseve, Rozanën e pezulluan që të merrte pjesë në aktivitetet shahistike dhe nuk e lejuan që të vazhdonte më tej talentin e saj? Kush ishin ata që e penguan dhe ata që e ndihmuan që ajo të rikthehej përsëri në garat kombëtare dhe ndërkombëtare, e përse atë e lejonin që të aktivizohej vetëm me ekipin e “Dajtit” dhe jo me ekipet e mirënjohura të Tiranës, si “Partizani” apo “Dinamo”? Cilat ishin vlerësimet e konsideratat e mjeshtrave të shahut shqiptar për vogëlushen Rozana, që doli kampione kombëtare në një kohë kur mezi i dilte koka mbi tavolinën e shahut dhe si arriti ajo të bëhej “Mjeshtre Sporti”, duke fituar në disa takime ndërkombëtare?

Gjithashtu mund të lexoni

 “Edhe pse gjyshi ishte ‘Hero i Popullit’, 6 burra nga fisi ynë u pushkatuan, 12 u arratisën nga Shqipëria, 20 u burgosën dhe 55 familje u internuan deri në ‘91-in…”/ Dëshmia e dhimbshme e të arratisurit në Australi

Pushkatimi i gjyshit në 1945-ën, burgosja e babait dhe xhaxhait në 1969-ën

Babai i Rozanës Kolec Gjergji, (Vistari) me origjinë nga fshati Xhan i Dukagjinit, ngeli jetim që në moshë fare të vogël, pasi në vitin 1945, nën pretekstin se “kishte strehuar diversantë”, komunistët i pushkatuan babanë dhe që nga ajo ditë ajo familje u shpall “armike e pushtetit popullor”. Duke fshehur biografinë e familjes, Koleci mundi të vazhdonte mësimet në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, por kur ai po përfundonte provimet në vitin e fundit, e përjashtuan nga shkolla me motivacionin si: “djali i armikut të popullit”. Pas kësaj ai u detyrua që të punonte në punët më të rënda dhe hija e armikut të klasës e ndiqte kudo. Nuk vonoi shumë dhe aty nga fillimi i vitit 1963, ai u arrestua dhe u mbajt një vit në hetuesi, për t’u arrestuar përsëri në vitet 1964-‘65. Ky ishte vetëm fillimi i kalvarit të gjatë të vuajtjeve që do të binin mbi Kolecin, sepse në vitin 1969, ditën që ai ishte duke u martuar dhe po bëhej dasma, atë e arrestuan përsëri dhe e dënuan me 13 vjet burg. Atë e akuzuan si: “armik të popullit që kishte dashur të hidhte në erë bustin e Stalinit në Tiranë”. Pas vuajtjes së dënimit në burgun e Burrelit, Koleci u kthye përsëri në Tiranë, duke u sistemuar në një banesë në lagjen ‘Kombinat’, bashkë me familjen e vëllait të tij Ndocit, që ishte dënuar me burg bashkë me të. Pas kësaj ai kërkoi punë dhe për “njerëzit e kallëpit tij” pushteti popullor kishte rezervuar vendet më të vështira, si: furrat e Fabrikës së Qelqit, Kombinati “Josif Pashko”, minierat etj., ku Koleci robtohej duke punuar me turne ditë e natë për të mbajtur familjen e porsakrijuar. Në këtë ambient familjar, në marsin e vitit 1976, u lind dhe fëmija e dytë Rozana, që më pas do të bëhej motra e gjashtë e familjes Gjergji.

Si e nisi Rozana shahun?

Lidhur me fillimet e shahut të Rozanës, babai Koleci kujton: “Askush nga ne të shtëpisë nuk e di të saktë se kur e filloi Rozana shahun, por di të them, se aty nga viti 1980, kur nuk ishte më shumë se pesë vjeçe, ajo i çuditi të gjithë njerëzit që ishin duke parë një lojë shahu aty në lagjen ‘Kombinat’, kur ndërhyri dhe tregoi një lëvizje dominante, nga e cila u fitua dhe loja. Asokohe në lagjen ‘Kombinat’ ku banonim ne loja e shahut ishte shumë e përhapur dhe kudo shikoje njerëz që luanin dhe të tjerë që i ndiqnin me orë të tëra. Në këto ambiente nuk kisha si të mos afrohesha edhe unë, pasi e pëlqeja atë lojë që nga ana teorike e kisha mësuar kur isha në burgun e Burrelit, nëpërmjet metodës së famshme të mjeshtrit të madh rus, Majzeliç. Atë kohë unë sapo kisha dalë nga burgu dhe duke u parë si “armik i klasës”, shumë shokë më ishin larguar dhe të tjerë nuk guxonin të më afroheshin. Kështu që kudo që shkoja në rrugë, në punë dhe në klub kur pija ndonjë gotë e kudo, e merrja Rozanën e vogël përdore, duke e pasur si shok të vërtetë. Po kështu nuk e lëshoja atë nga dora edhe aty në Klubin e Kulturës të Kombinatit Tekstileve “Stalin” që mbetej i vetmi argëtim për gjithë banorët e asaj lagje të madhe, ku përgjegjësi i tij, një intelektual i nderuar, nxirrte gurët e shahut, e ne ndiqnim me plot pasion lojrat që zhvillonin. Aty në atë ambient organizoheshin shpesh kampionate ku ftoheshin dhe lojtarë të Kombëtares të cilët dilnin të mundur që andej, pa përmendur shahistët e klubeve, si vëllezërit Shuke, Meta, B. Egro, dy Nokat, Th. Pustina, Sh. Trajsja, Ibrahim Storja, e deri tek Shaqir Ruçi, që ishin shahistë që në kushte të tjera, padyshim që do të konkuronin me dinjitet me më të mirët e vendit. Gjatë këtyre ndeshjeve që zhvilloheshin në atë sallë, Rozana humbiste e tëra duke e përqendruar gjithë vëmendjen e saj në lojën magjike dhe shpesh herë ndërhynte për ndonjë lëvizje, gjë e cila i habiste të gjithë ata që ndiqnin ato lojëra”, kujtonte Kolec Gjergji (Vistari), fillimet e lojës së shahut për vajzën e tij Rozanën.

Kampione që 6 vjeçe

Në vitin 1982, kur Rozana nuk i kishte mbushur akoma gjashtë vjeçe, ajo konkuroi për herë të parë në një garë shahu që u zhvillua në ambientet e Klubit “Ali Kelmendi”, për të cilën Koleci kujton: “Nga që Rozana kishte shfaqur prirje dhe talent në lojën e shahut, shumë nga shokët e mi më nxitën dhe më detyruan që ta çoja të luante në ndonjë garë shahu. Kështu unë e mora dhe në atë garë, ajo zuri vendin e parë në tavolinën e tretë ku luajti përball një vajze të rritur. Fitorja e saj bëri bujë të madhe dhe asokohe mjeshtëri i njohur Mendim Veizaj, shkroi një artikull në gazetën “Sporti Popullor”. Po atë vit, me rastin e festave të nëntorit, u zhvillua një kampionat tjetër për të rritura (nuk kishte kampionat të rejash), ku përsëri Rozana fitoi vendin e parë në tavolinën e dytë. Mbas kësaj erdhi Kupa e Republikës e vitit 1983, ku Rozana u ndesh me ‘Mjeshtren e Sportit’, Liri Bajo, e cila ishte dy herë kampione e Republikës dhe arriti që ta barazonte ndeshjen, duke luajtur me gurët e zinj. Kjo ndeshje bëri bujë të madhe dhe u bë objekt diskutimi në revistën “Shkenca dhe Jeta”. Pasi zhvilloi dhe ndeshjet e tjera duke i fituar ato, Rozana fitoi dhe Kupën e Republikës, gjë e cila atëhere nga shumë specialistë të shahut, u cilësua si një mrekulli e vërtetë. Shumë njerëz që e ndoqën ceremoninë e dorëzimit të Kupës, nuk i’u besonin syve kur panë Rozanën e vogël të merrte Kupën dhe të dilte në fotografi me Liri Bajon, e cila u shpreh me superlativa duke thënë: Kjo vajzë një ditë do të bëhet kampione e madhe. Pas atij suksesi, Rozanën e përgëzuan dhe e përkrahën dhe shumë nga mjeshtrat e mëdhenj të shahut shqiptar, si: Ylvi Pustina, Omari, Veizaj, Vila, etj. Mjeshtri i madh, Esat Duraku, i’u tha kolegëve të tij të shahut: Po i’u prezantoj Rozana Gjergjin, kjo është mrekullia që ka bërë vezën e kuqe”, kujton Koleci, për atë kohë kur Rozana fitoi Kupën e Republikës dhe mori përgëzimet e mjeshtrave të mëdhenj.

Pezullimi i Rozanën nga shahu!

Pas atyre sukseseve që arriti Rozana, ajo vazhdoi përsëri të konkuronte në garat e shumta dhe aktivitetet shahistike që asokohe u zhvillonin jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe të ndryshme të vendit, duke arritur fitore të tjera dhe duke marrë medalje dhe diploma nderi. Por kur ajo kishte arritur kulmin e saj dhe shumë nga Klubet e kryeqytetit si: “Dinamo”, Partizani” e “Tirana”, kërkonin që ta merrnin atë nga Klubi i “Dajtit”, ku ajo aktivizohej, ndodhi ajo që nuk pritej: Rozanës iu ndalua shahu, sepse babai i saj kishte qenë i burgosur politik. Lidhur me këtë, Koleci kujtonte: “Ajo gjë na ra si bombë dhe për ne ishte njëlloj si fatkeqësitë e tjera familjare që kishim kaluar si burgosja ime, apo e vëllait Ndocit. Rozana qante dhe më kërkonte që unë ta dërgoja të luante duke më thënë se do fitonte kupa të tjera. Nga kjo situatë ku u ndodha u detyrova dhe trokita tek miqtë e mi që nuk më kishin harruar ende. Kështu Ramadan Pasmaçiu më priti mirë dhe nëpërmjet Liljana Hoxhës ndërhyri deri tek Enveri i cili ishte shprehur që Rozana të lejohej të luante. Vetëm pas kësaj Rozanën e kthyen përsëri pranë ekipit të “Dajtit” dhe e lejuan që të vazhdonte shahun të cilin ajo e kishte jetën e saj”, kujton Koleci atë kohë, kur Rozanës i’u ndalua loja e shahut. Po kështu, Kolec Gjergji shprehej me admirim dhe respekt të veçantë, për shumë nga njerëzit që iu gjetën pranë në përpjekjet e tij për të ndihmuar Rozanën që të vazhdonte shahun, si: Sekretari i Komitetit të Partisë i Ministrisë Mbrojtjes, Ali Vukatana, Ministrja e Arsimit Tefta Cami, Shefi i Klubit “Partizani”, Isa Tare, Shefi i Klubit “Dajti” Mustafa Çelkupa, Leonard Mikeli dhe ish- Drejtori i Institutit të Studimeve Pedagogjike, Sotir Temo, i cili kërkoi që Rozana të trajtohej si rast i veçantë, e plot të tjerë.

Karriera sportive e Rozanës si “Mjeshtre Sporti”

Që nga ajo ditë që Rozana u lejua të vazhdonte shahun, ajo ka marrë pjesë pothuaj në të gjitha kampionatet, duke dalë tre herë Kampione Kombëtare për të rritura dhe të gjitha vendet e tjera të dyta. Gjatë këtyre viteve ajo është shpallur dhe tre herë ndër “10 sportistët më të mirë të vendit”, duke marrë dhe titullin “Mjeshtre Sporti”. Po kështu ajo ka marrë pjesë në disa takime ndërkombëtare, si në Novi-Sad, Turqi, Greqi, Rumani, Bullgari dhe Spanjë, ku ka konkuruar me dinjitet dhe ka mundur të fitojë dhe një ballë, për të marrë titullin “Mjeshtre Ndërkombëtare”. Në vitin 2001, Rozana morri pjesë në garat e shahut dhe u shpall përsëri Kampione Kombëtare e vendit. Ajo nuk i harron kurrë mjeshtërit që e ndihmuan në formimin e saj, si Omarin, Esat Durakun, Petrit Meksin, Aldo Zadrimën e Mendim Veizajn, si dhe të gjithë ata që vendosën që t’i kushtonin asaj filmin artistik të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, me titull “Dy herë mat”. Krahas shahut ku Rozana Gjergji ka shkëlqyer vazhdimisht, ajo ka pasur po të njëjtat rezultate dhe në mësime duke u diplomuar shkëlqyer në Fakultetin Filologjik për gjuhën gjermane. Pas diplomimit, Rozana u emërua pedagoge në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë dhe në vitin 2002, ajo i diplomua edhe në Fakultetit Juridik, por pa harruar asnjëherë pasionin, shahun, i cili ishte dhe mbeti, pjesa e pandarë e jetës së saj. /Memorie.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës