Tiranë - 95 vjetori i shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë është kremtuar sot në Muzeun Historik Kombëtar në bashkëpunim me shoqatën "ALSAR", shkollën jo-publike "Tirana Jonë" dhe Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë. Pjese e aktivitetit ishte edhe çelja e një ekspozitë fotografike me pamje nga Tirana ndër vite në hollin kryesor të Muzeut Historik.

Në fjalën përshëndetëse drejtori i MHK e tij Melsi Labi theksoi rëndësinë e vendimeve të Kongresit të Lushnjes për shpalljen e Tiranës kryeqytet, vlerat historike dhe arkeologjike të këtij qyteti, ku përmëndi vendbanimet e vjetra si, kalaja e Petrelës dhe Kalaja e Dorzit.
Nga ana tjetër drejtori i shkollës "Tirana Jonë", Fatmir Vejsiu, falënderoi Muzeun Historik Kombëtar dhe drejtorin Labi për gatishmërinë e treguar dhe dëshirën për të bashkëpunuar me mësuesit dhe nxënësit e shkollës "Tirana Jonë" në realizimin e këtij aktiviteti.
Nxënësit e shkollës "Tirana Jonë" kishin përgatitur një prezantim historik për Tiranën, ku folën për familjet e njerez te shquar tiranas, kryetarët e bashkisë së Tiranës ndër vite dhe lëvizjet demografike që kanë ndodhur ndër vite në Tiranë.
Aktiviteti mori nota festive kur disa nga fëmijët e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë përformuan këngë për të pranishmit. Ndërkohë ekspozita e hapur për këtë rast do të qëndrojë deri më datë 13 shkurt.
/ATSH/