Në një muaj 6 sulme me tritol në
Lazarat, Policia: Veprime terroriste

Në një muaj 6 sulme me tritol në<br />Lazarat, Policia: Veprime terroriste
Brenda muajit Mars në fshatin Lazarat janë bërë 6 sulme me tritol. Sipas një raporti të policisë së Gjirokastrës nga këto sulme që fillojnë nga data 10 mars dhe i fundit në 22 janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht jo viktima në njerëz.

Nga hetimet e policisë rezulton se motivi i këtyre ngjarjeve është i lidhur me veprimtarinë policore të goditjes së elementëve kriminal gjatë operacionit policor “Lazarati 2014”. Policia e Gjirokastrës thotë se këto janë veprimeve me qellime terroriste, të pasqyruara edhe ne rrjetet sociale.

Për këto sulme policia ka identifikuar si autorë shtetasit Arbion Adil Aliko, Alban Adil Aliko, Viktor Xhemil Aliko, Thimjo Irakli Ceka dhe Bervin Kastriot Basho.


Ngjarjet kriminale të ndodhura në Lazarat

Më datën 07.08.2014 rreth orës 00:30, në lagjen Kordhocë të fshatin Lazarat është djegur kasollja e barit, si dhe kasollja e bagëtive, të shtetasit Hysen Bejkaj, ku si pasojë e këtij zjarri janë djegur dy prej krerëve të bagëtive, të llojit gjeth, si dhe një pjesë e barit të thatë. Materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime hetimore të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” parashikuar nga neni 151 i K. Penal.

Më datë 10.03.2015, në vëndin e quajtur Ura e Kordhocës në fshatin Lazarat, është dëgjuar një shpërthim si ajo e shkaktuar nga lëndë eksplozive. Nga kryerja e veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes rezultoi se sasia e lëndës eksplozive ishte vendosur në afërsi të kësaj ure por nga shpërthimi i saj nuk ka patur dëmtime materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprat penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike” të parashikuara nga nenet 278 dhe 274 të K. Penal.

Me datë 17.03.2015 në lagjen Kordhocë të fshatit Lazarat, në oborrin e pasëm të banesës së shtetasit Hysen Bejkaj, është gjetur një kallëp i dyshuar si lëndë eksplozive i pa shpërthyer si dhe një fitil zjarr-përcjellës me gjatësi 51 cm. Nga veprimet hettimore të kryera nuk u konstatuan dëme materiale pasi lënda shpërthyese nuk kishte shpërthyer. Materialet lidhur me këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga neni 278 i K. Penal.

Më datë 17.03.2015 rreth orës 20:30 në lagjen Lenxat të fshatit Lazarat, nga automjeti tip Mistubishi me targa KO 7793 B, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë të cilët kryenin sherbim në atë zonë. Pas një ndjekje në dinamikë është bërë e mundur bllokimi i këtij automjeti ndërsa autorët janë larguar duke përfituar nga errësira. Në vendngjarje janë sekuestruar një armë zjarri e tipit pushkë dhjetëshe, një armë zjarri automatik kallashnikov pa qytë, gëzhoja, fishekë, dokumenta si dhe tre aparate celularë të cilat u përkasin autorëve. Lidhur me këtë ngjarje, materialet i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale “Vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” parashikuar nga nenet 79/b, 25 e 22 dhe 278/4 i K. Penal.

Më datë 19.03.2015 rreth orës 23:30 në fshatin Lazarat është vendosur një sasi lënde eksplozive në shtyllën mbajtëse të një shtylle elektrike, ku nga shpërthimi i kësaj lënde eksplozive u dëmtua shtylla mbajtese në disa pjesë të saj. Lidhur me këtë ngjarje kriminale, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” parashikuar nga neni 152/1 i K. Penal.

Më datë 22.03.2015 rreth orës 24:00 në lagjen Kordhocë të fshatit Lazarat në oborrin e banesës së shtetasit Hysen Bejkaj, është hedhur një sasi lënde eksplozive ku si pasojë e këtij shërthimi janë dëmtuar porta kryesore e hyrjes si dhe xhamat e derës së banesës së shtetasit Mevlan Bejko. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar fitili zjarr-përcjellës i përdorur për të aktivizuar lëndën shpërthyese. Materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” parashikuar nga neni 152/1 i K. Penal.

Më datë 22.03.2015 rreth orës 21:00 në vendin e quajtur “ish pularia” në fshatin Lazarat, në verandën e banesës së shtetasit Agron Toto është vendosur një sasi lënde eksplozive e dyshuar si tritol, ku si pasojë e shpërthimit të kësaj lënde eksplozive janë konstatuar dëme të konsiderueshme në fasadën e ndërtesës si dhe në xhamat e dyerve dhe dritareve. Materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” parashikuar nga neni 152 i K. Penal.

Më datë 22.03.2015 rreth orës 22:00 në fshatin Lazarat në oborrin e banesës së shtetasit Ferdi Dajlani është hedhur një sasi e dyshuar si lëndë eksplozive. Nga veprimet hetimore në vendngjarje u konstatua se fitili zjarrpërcjellës ishte ndezur në skajin e tij por shpërthimi i kësaj lënde nuk kishte ndodhur dhe si rrjedhojë nu janë kontatuar dëme materiale. Në vendin e ngjarjes u sekuestrua lënda e dyshuar si eksplozive dhe fitili zjarr-përcjellës. Materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv i mbetur në tentativë” parashikuar nga neni 152 e 22 i K. Penal.


Personat përgjegjës sipas Policisë së Gjirokastrës

Arbion Adil Aliko, i datëlindjes 28.12.1995, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej datës 22.06.2014, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” parashikuar nga nenet 283 dhe 278 i K. Penal.

Alban Adil Aliko, i datëlindjes 25.11.1997, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej datës 21.08.2014, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarave dhe municioneve” parashikuar nga neni 278/4 i K. Penal.

Viktor Xhemil Aliko, i datëlindjes 14.09.1990, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kerkim që prej datës 13.11.2014 pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprat penale "Shkatërrim i pronës i kryer në bashkëpunim", "Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, në b/punim" dhe "Kundershtim i punonjesit të policisë së rendit në b/punim" parashikuar nga nenet 150/25, 236/2 dhe 262/2 te K.Penal.

Thimjo Irakli Ceka, i datëlindjes 30.07.1995, lindur në Përmet dhe banues në Gjirokastër, i dënuar më parë për vjedhje, person i shpallur në kërkim më datë 20.03.2015, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” parashikuar nga nenet 79/b, 25 e 22 dhe 278/4 i K. Penal.

Bervin Kastriot Basho, i datëlindjes 24.12.1993, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton person i shpallur në kërkim që prej datës 17.03.2015, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” parashikuar nga nenet 79/b, 25 e 22 dhe 278/4 i K. Penal.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Përplasja në Këshillin Bashkiak, Tedi Blushi: Seanca ishte planifikuar për gjakderdhje! Veliaj ishte me anti-plumb, kishte njerëz të armatosur

Përplasja në Këshillin Bashkiak, Tedi Blushi: Seanca ishte planifikuar për gjakderdhje! Veliaj ishte me anti-plumb, kishte njerëz të armatosur