Tiranë- Prej tre ditësh Rumania po përballet me protesta të dhunshme antiqeveritare, ndërsa në Shqipëri ishte ish-kryeministri Sali Berisha ai që iu bëri thirrje shqiptarëve të ndiqnin shembullin rumun e ta kthenin Tiranën si Bukureshti.

Opozita me sa duket i ka ndezur motorët e propagandës dhe nuk është ndalur vetëm me kaq. Prej disa orësh në rrjetet sociale qarkullon edhe fotoja e një protestueseje rumune që mban një pankartë në duar me shkrimin: Ne nuk jemi Shqipëria!

Ndonëse këtë foto e kanë shpërndarë edhe figura të njohura politike siç është edhe Besnik Mustafaj, redaksia e Shqiptarja.com dhe Report Tv me një kërkim të thjeshtë në internet mundi të gjejë versionin e saktë të fotos.

Statusi i Besnik Mustafajt

Protestuesja nuk mban në duar asnjë pankartë që ka të bëjë me Shqipërinë. Teksti është punuar bukur me photoshop. Versioni original i saj është: Drejtësi jo korrupsion.

Për ta kuptuar më mirë të gjithë lojën mjafton të shihni të dyja fotot.

Fotoja e montuar

Versioni origjinal i AFP

Një detaj tjetër që tërheq vëmendje është se protestuesja mban veshur rroba të trasha dimri, ndërkohë që protestat zhvillohen në kulmin e verës.

Kujtojmë se prej tre ditësh mbi 250 mijë njerëz kanë mbushur rrugët kryesore të disa qyteteve, madje janë konfrontuar ashpër edhe me policinë. Ka pasur të plagosur nga të dyja krahët, ndërsa mediat e konsiderojnë atë si demonstratën më të madhe në Rumani që pas vitit 1989. Zanafillë e demonstratave është bërë dekreti i ri i qeverisë, sipas të cilit një zyrtar mund të dënohet me burg vetëm nëse shkakton dëm që e kalon shumën prej 44 mijë eurosh. Organizatorët e protestave thonë se ky vendim i fton zyrtarët publikë të abuzojnë me detyrën e të vjedhin fonde.