Teksa jemi në prag të festave të nëntorit kryeministri Edi Rama thotë se 19 filma ikonë të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, me figurë, zë dhe ngjyra janë restauruar në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë shprehet se filmat, do të shfaqen së shpejti në ekranin e RTSH.

“Mirëmëngjes dhe me kryeveprat e restauruara të kinemasë shqiptare, 19 filma ikonë të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, me figurë, zë dhe ngjyra të rikthyera mjeshtërisht në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, që së shpejti do të shfaqen ekskluzivisht në ekranin e RTSH, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.