Ibrahim Lici ka hedhur poshtë lajmin se është arrestuar nga policia në Turqi. Në një audio të siguruar nga Report Tv, Lici sqaron se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Endri Mustafës ndërsa shton se kamerat e sigurisë dhe telefoni vërtetojnë se ishte në Tiranë në momentin e vrasjes. Lici thekson se është i lirë dhe sqaron se është në kërkim vetëm për t'u marrë në pyetje si person që mund të ketë informacion për rrethanat e hetimit.

“Jam i lirë. S’jam arrestuar. Lidhur me ngjarjen për të cilën akuzohem për vrasjen e Endri Mustafës, kam dorëzuar kamerat në prokurori dhe qelizat telefonike që vërtetojnë që unë kam qenë në Tiranë në momentin që ka ndodhur krimi. Kjo është vërtetuar. Unë pres vendimin e gjykatës për të zbardhur ngjarjen dhe për të cuar para drejtësisë autorët e vërtetë.

Edhe për vrasjen e vëllezërve Bilali, s’kam qenë asnjëherë nën hetim nga prokuroria dhe jam shpallur në kërkim policor vetëm si person për t’u marrë në pyetje se mund të kem dijeni për rrethanat e hetimit. S’kam pasur asnjëherë konflikt me vëllezërit Bilali dhe është shumë e çuditshme si kërkohet ekstradimi në një kohë që s’jam arrestuar. I bëj thirrje policisë të dalë në deklaratë se kur dhe ku më kanë arrestuar. Jam i lirë, jetoj i lirë në Turqi dhe pres të zbardhet ngjarja nga drejtësia”, tha Lici.

Për vrasjen e Endri Mustafës, është dënuar me 10 vite burg 16-vjeçari Ergys Malja, i dënuar për akuzën e ‘Vrasjes me paramendim kryer ne bashkëpunim’. Për Maljan prokuroria kërkoi 12 vite burgim për shkak të moshës së tij të mitur.

Emri i Ibrahim Licit si autor dyshohet se doli nga dëshmia e Ergys Maljas para grupit hetimor, pasi pak ditë pasi u arrestua, ai akuzoi Ibrahim Licin si autor të vrasjes. Sipas të miturit, ai ishte nisur me viktimën drejt Livadheve, por përpara i kishte dalë Lici duke qëlluar direkt mbi Mustafën dhe duke u larguar më pas me motor.

Ibrahim Lici, është një person i njohur për policinë. Emri i tij lidhet me ngjarje të bujshme të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh.