TIRANË - Pas 30 ditëve sakrifice, lutje dhe adhurimi ndaj Zotit në muajin e Ramazanit, është koha për shpërblim! E premtja e këtij 17 korriku është festë për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë dhe në mbarë botën – kremtohet Fiter Bajrami.
Kjo festë e shenjtë përmbyll muajin e Ramazanit (një nga 5 shtyllat e Islamit) me faljen e namazit të Bajramit, ku të gjithë besimtarët lidhen mes njëri-tjetrit në lutje e falënderime ndaj Allahut.
Në Tiranë, me mijëra besimtarë iu bashkuan faljes së madhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 06:06, si çdo vit organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Begati dhe paqe për Shqipërinë. Këtë urim përcolli kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Skënder Bruçaj pasi drejtoi faljen e namazit. Shpresoj,- theksoi ai, - që Zoti t’i ketë pranuar adhurimet dhe sakrificën në muajin e Shenjtë të Ramazanit.
“Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i harmonisë, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar. Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, begati gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit. O Zoti ynë! Jepi begati, mirësi, paqe e qetësi shoqërisë sonë dhe atdheut tonë Shqipërisë, e bashkë me të mbarë njerëzisë. Gëzuar e përshumvjet Fitër Bajramin. Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën”, - tha Bruçaj.
Myftiu i Tiranës Ylli Gurra i cili mbajti hytben (ligjëratën) pas faljes, nuk la jashtë këtij Bajrami edhe lutjen për efektivin e RENEA-s Ibrahim Basha i cili humbi jetën në krye të detyrës në Lazarat...edhe pse u kujdes të mos e përmendë si emër të përveçëm, për të mos zbehur heroizmin e dëshmorëve të tjerë që kanë dhënë jetën për atdheun.