/ATSH/- Në muajin Qershor, eksportet e mallrave arritën vlerën 24 miliardë lekë, me rritjen prej 5,8 % në krahasim me Qershor 2014, por dhe me një ulje prej 1,2 % në krahasim me Maj 2015.
Sipas INSTAT, importet e mallrave në muajin Qershor arritën vlerën 49 miliardë lekë, duke u ulur me 1,1 % në krahasim me Qershor 2014 dhe duke u rritur 10,0 % në krahasim me Maj 2015. Deficiti tregtar në Qershor arriti në 25 miliardë lekë, duke u ulur 6,9 % krahasuar me Qershor 2014 dhe rritur me 23,3 % në krahasim me Maj 2015.
Rritja vjetore e eksporteve me 5,8 % në Qershor u ndikua kryesisht nga grupet: "Ushqime, pije, duhan", që kontribuan me +3,7 pikë përqindje, "Tekstile dhe këpucë" me +2,8 pikë përqindje, "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi" me +0,8 pikë përqindje.
Me ulje ndikuan grupet "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" me -3,1 pikë përqindje, "Prodhime druri dhe letre" kanë kontribuar me -0,1 pikë përqindje.
Rënia vjetore e importeve 1,1 % në Qershor u ndikua nga grupet: "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi" me +1,7 pikë përqindje, "Tekstile dhe këpucë" me +1,4 pikë përqindje, "Ushqime, pije, duhan" me +1,1 pikë përqindje, "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" me -7,4 pikë përqindje.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 67,6 % të gjithë tregtisë, ku eksportet zunë 73,2% të totalit dhe importet 64,8%.
Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 34,8 %, Greqia 7,6%, Turqia 5,8 % dhe Kina me 5,4 %.