Nuk kishte ndodhur më herët, por drejtuesit e sportit në Itali kanë gjetur një zgjidhje për të shmangur një betejë të gjatë ligjore lidhur me postin e presidentit të federatës italiane të futbollit.

Zgjedhjet më 22 qershor të 2026 shpallën Giovanni Malago-n president të federatës me 68.58% të votave, duke mundur kandidaturën e Abete-s. Mirëpo pa kaluar shumë u vu re nga juristët e CONI-t (Komiteti Olimpik Kombëtar Italian) se në momentin që kishte kandiduar Malago nuk e kishte dosjen e plotë.

Po çfarë mungonte? Malago nuk ishte i rregjistruar në federatën e futbollit, pasi i mungonte ‘tesserato’, karta e anëtarsimit. Ky status formal sipas rregullores mund të dërgonte federatën në zgjedhje të reja. Mirëpo në kushtet që ndodhet futbolli italian pasi kombëtarja dështoi për herë të 3 të shkonte në Botëror, nuk ishte një situatë aspak pozitive.

Për pasojë në takimin e mbajtur sot në CONI, presidenti i kësaj të fundit Luciano Buonfiglio, gjeti një kompromis me Giovani Malago-n për ta emëruar komisioner të jashtëzakonshëm të federatës italiane të futbollit. Pra ai ligjërisht nuk do të jetë më president i federatës, por megjithatë do të mbetet numri 1 i saj deri në zgjedhjet e reja. Me shumë mundësi do të mbahen në dhjetor, ndërsa ligjërisht duhet jo më vonë se 21 janar 2027. Malago do të jetë kandidat i vetëm dhe de facto edhe presidenti ‘i ri’ i federatës.

Po përse CONI nuk donte ta shkarkonte ose largonte Malago-n? Ekzistonte mundësia që ekipi i presidentit të federatës italiane ta çonte çështjen në gjyq. Kjo mund të sillnte një ngërç institucional në një moment kyç për federatën e futbollit, që bashkë me Turqinë do të organizojë evropianin 20232. Për të mos rrezikuar që Italia të dështonte në organizim ‘është mbyllur një sy’.