TIRANE - Sipas statistikave të Gjykatës së Tiranës, në harkun kohor të 9 muajve janë depozituar në total 1671 padi për zgjidhje martese. Koha e shqyrtuar është nga 1 janari deri më 2 tetor 2018. Ndër to, 461 janë të përfunduara. Pjesa tjetër, më shumë se 70% e çështjeve të ardhurave këtë vit për zgjidhje martese janë ende në shqyrtim.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, paditë për zgjidhje martese në 9 mujorin e 2017 ishin 1563, ndër të cilat 447 çështje të zgjidhura. Ka një rritje të numrit të kërkesave për divorc me rreth 7 %.
Edhe paditë për pension ushqimor janë në total 26, ndër të cilat vetëm 8 çështje janë përfunduar. Sipas specialistëve, kjo ndodh në rastet kur bashkëshorti pjesë e procesit të divorcit, mohon dhënien e pagesës mujore së detyruar për fëmijën ose caktohet nga vetë gjykata pagesa minimale e parashikuar. Psikologët pranë Gjykatës së Tiranës kanë deklaruar më parë për “Monitor” se dy nga katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës. Disa të tjera detyrohen të braktisin punën që kanë pasur më parë, në kushtet e kërkimit të një pune të përshtatshme edhe me oraret e fëmijëve (ekonomikisht nuk përballohet prania e një dadoje apo kopshti/shkolle private). Gjatë procesit të kërkimit të punës, shpesh hasin paragjykime apo vështirësi.
Në kategorinë e çështjeve gjyqësore që i përkasin çështjeve familjare, janë më rritje numri i lëshimit të urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes, në total për 9 muaj kanë arritur 725 të tilla, ndër të cilat vetëm 27 janë çështje të përfunduara. Vitin e shkuar numri total i tyre ishte 570, ekzekutimi i të cilave ishte më pak se 20.
INSTAT raportoi që në 2016-n kishte rreth 5500 divorce, niveli rekord ky i historisë së pas tranzicionit, me gati 25 divorce për çdo 100 martesa. Të larta kishin qenë ndarjet edhe në 2015-n, me 21 divorce për 100 martesa. Avokatja e çështjeve civile e familjare av. Margarita Kola ka thënë më herët për “Monitor” se arsyet e rënies së numrit të divorceve vitin e shkuar lidhen kryesisht me faktin që shqiptarët po martohen më pak dhe po bashkëjetojnë më shumë./marrë nga monitor/