Në lagjen Duboce Triangle, një nga zonat rezidenciale më të kërkuara të San Franciskos, një vilë e bardhë në stilin edoardian është kthyer në simbolin e etheve të reja të arit të inteligjencës artificiale. Jo aq për tre katet e rinovuara apo për çmimin e saj – gati 3 milionë dollarë – sesa për një klauzolë të pazakontë të përfshirë në njoftimin e shitjes: pronari ishte i gatshëm të pranonte aksione të kompanive OpenAI ose Anthropic si formë pagese.

Për shtëpinë interesohet një inxhinier i ri i OpenAI së bashku me partneren e tij. Ai jeton me qira që kur u transferua në qytet dy vjet më parë dhe shtëpia i pëlqen. “Mund të pyes nëse është e mundur të transferoj një pjesë të opsioneve të mia të aksioneve”, i tha ai BBC-së. Një hipotezë që deri pak vite më parë do të dukej surreale, por që sot përshkruan në mënyrë të përkryer hartën e re të pasurisë në zonën e Gjirit të San Franciskos.

San Francisko është rikthyer të jetë epiqendra e inovacionit teknologjik botëror. Pas viteve të vështira të pandemisë, të shënuara nga largimi i banorëve dhe ngadalësimi i tregut të pasurive të paluajtshme, bumi i inteligjencës artificiale ka vënë sërish në lëvizje ekonominë e qytetit, veçanërisht tregun e banesave.

Në mars, qyteti rimori vendin e parë si tregu më i shtrenjtë i pasurive të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara, duke kaluar San Josen. Çmimi mesatar i banesave arriti në maj në nivelin rekord prej 1.76 milionë dollarësh (ndërsa çmimi mesatar i një shtëpie në SHBA është rreth 400 mijë dollarë). Në të njëjtën kohë, tregu amerikan u rrit vetëm me 1-2%, ndërsa në San Francisko rritja ishte dyshifrore: +19% në mars, +14.5% në prill dhe +14.1% në maj.

Agjentët e pasurive të paluajtshme flasin për oferta gjithnjë e më të shpeshta me para në dorë, ankande mes blerësve dhe çmime përfundimtare që tejkalojnë me qindra mijëra, madje edhe me miliona dollarë, çmimin e kërkuar.

Dallimin nuk e bëjnë vetëm pagat, tashmë shumë të larta sipas standardeve të Silicon Valley. Motori i vërtetë i këtij fenomeni janë opsionet e aksioneve. Në muajt e fundit, qindra punonjës të OpenAI kanë shitur një pjesë të aksioneve të tyre, duke realizuar fitime milionëshe.

Një dinamikë e ngjashme po ndodh edhe në Anthropic, ndërsa tregu po shikon tashmë drejt daljes së mundshme në bursë të dy kompanive, nga e cila mund të lindin milionerë të rinj.

Për më tepër, kërkesa nuk kufizohet më vetëm te vilat luksoze. Ajo përfshin apartamente, shtëpi individuale dhe pothuajse çdo lagje të qytetit. Banesat qëndrojnë shumë pak ditë në treg dhe lufta mes blerësve është bërë normë.

Situatën e bën edhe më ekstreme një problem strukturor: San Francisko ndërton shumë pak shtëpi prej dekadash. Hapësira është e kufizuar, oferta e pakët dhe kërkesa historikisht e lartë. Në një kontekst të tillë, edhe një numër relativisht i vogël blerësish të rinj me kapacitete pothuajse të pakufizuara financiare mjafton për t’i çuar çmimet në nivele rekord.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se ky bum do të zgjasë pafundësisht. Ekonomisti Enrico Moretti, i Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, në një intervistë për BBC-në, bën thirrje për kujdes. Sipas tij, inteligjenca artificiale është ende në fillim të ciklit të saj të zhvillimit, por ai kujton se punësimi dhe popullsia e qytetit nuk janë rikthyer ende plotësisht në nivelet para pandemisë. Gjithashtu, pushimet e fundit nga puna në sektorin teknologjik dhe maturimi gradual i industrisë mund të ngadalësojnë rritjen e kërkesës.

Ndërkohë, efektet sociale tashmë janë të dukshme. Një familje me një prind të punësuar në OpenAI arriti të blinte me para në dorë shtëpinë ku ëndërronte të jetonte, falë shitjes së një pjese të aksioneve të saj.

Sa i përket vilës në Duboce Triangle, fundi i historisë tregon më mirë se çdo statistikë gjendjen e tregut: ajo u shit për 3.2 milionë dollarë, 200 mijë dollarë më shumë se çmimi i kërkuar. Nëse në pagesë kishte edhe aksione të një kompanie të inteligjencës artificiale, këtë nuk e di askush./ Corriere della Sera