TIRANE, 18 Gusht/ATSH/- Në datat 24-26 shtator në Tiranë, Shoqata Gjeologjike e Ballkanit (CBGA), do të organizojë Kongresin e XX-të të Karpateve, ku pritet pjesëmarrje e konsiderueshme shkencëtarësh të fushës së gjeoshkencës nga vendet e rajonit e më gjerë.
Burime nga Komiteti Organizativ i kësaj shoqate bëjnë të ditur se gjatë punimeve dy ditore do të mbahen referate shkencore mbi vlerat që ka Shqipëria, si vend i njohur për Ofiolitet spektakolare jurasike, me shumëllojshmëri të gjerë të depozitave të mineraleve krom, (Cr), bakër (Cu), nikel (Ni), etj, përveç fushave të rëndësishme të naftës dhe gazit, që kanë tërhequr interesin e kompanive të ndryshme që vazhdojnë të investojnë në Shqipëri.
Komiteti Organizativ njofton se ky kongres ka tërhequr vëmendje të gjerë dhe deri tani janë pranuar shumë abstrakte shkencore me pjesëmarrës nga zona Karpate-Ballkan, si dhe vende të tjera.
Kongresi mbështetet fuqimisht nga institucionet kryesore gjeologjike shqiptare, me synim realizimin e një Kongresi të suksesshëm të Karpateve, thanë burimet nga Shoqata Gjeologjike e Ballkanit (CBGA)./n.m//m.m/











