Policia e Kukësit ka bërë bilancin gjatë një jave. Përmes një njoftimi për shtyp bëhet e me dije se në këtë hark kohor janë vendosur 201 gjoba për shkelje të kodit rrugor, përfshirë: për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane, për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit, për mospërdorim të rripit të sigurimit, parakalim të gabuar etj.

Ndërkohë një person është arrestuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, ndërsa një i mitur për drejtim automjeti pa qenë i pajisur me leje drejtimi. Në gjendje të lirë do të hetohen edhe dy shoferë të tjerë.

Njoftimi i plotë:

Gjatë kësaj jave, për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor, janë proceduar penalisht 2 shtetas. Njëri është arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, ndërsa një shtetas i mitur për drejtim automjeti pa qenë i pajisur me leje drejtimi.

Në kuadër të kontrolleve parandaluese, të organizuara me grupe kontrolli në rrugët urbane dhe lokale, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 201 masa administrative, si më poshtë;

9 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane;

21 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit;

2 masa administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;

3 masa administrative për parakalim të gabuar;

1 masë administrative për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit;

165 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat përbëjnë burim aksidentesh.

Gjithashtu, janë ndaluar administrativisht 2 mjete që qarkullonin pa dokumentacionin përkatës dhe me detyrime të papaguara.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, 3 automjete.

Policia Rrugore Kukës apelon sërish për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, si një kontribut i rëndësishëm për rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt, të lirë dhe pa pengesa.