Negociatat, Bushati: Vijojmë kursin
reformator për integrimin në BE

Negociatat, Bushati: Vijojmë kursin<br />reformator për integrimin në BE
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot në një takim zyrtar Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane të Republikës Federale të Gjermanisë, Micheal Roth.

Ndër çështjet e diskutuara në takim ishin mbështetja dhe vëmendja e Gjermanisë në rrugën e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, Procesi i Berlinit, zhvillimet në rajon, si dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh me fokus në procesin e reformave për integrimin e Shqipërisë në BE.

Kjo vizitë vjen në një moment tepër të rëndësishëm për Shqipërinë, pas marrjes së mbështetjes dhe inkurajimit nga vendet anëtare për progresin e qëndrueshëm që ka bërë vendi ynë në lidhje me përmbushjen e prioriteteve kyçe, i cili u materializua në rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të këtij viti.

Gjatë takimit, Ministri Bushati vlerësoi vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë lidhur me perspektivën europaine të rajonit tonë dhe integrimin e Shqipërisë në BE, e cila në këtë kohë sfidash përbën faktor sigurie dhe qëndrueshmërie.

Më tej, duke u ndalur në hapat konkrete të ndërmarra nga qeveria shqiptare në përmbushje të prioriteteve të anëtarësimit, Ministri Bushati u shpreh se: "Dëshiroj të theksoj gatishmërinë e qeverisë shqiptare për vijueshmërinë e kursit reformist në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe për anëtarësim, të cilat janë thelbësore jo vetëm për çeljen e negociatave por përgjatë gjithë procesit të anëtarësimit".

Ministri Roth, duke konfirmuar vëmendjen e veçantë që Gjermania i kushton proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor, vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe bashkimin e saj të plotë me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së Jashtme dhe të Sigurisë.

Ai, gjithashtu, vlerësoi vendosmërinë dhe reformat e ndërmarra nga Shqipëria në rrugën e konsolidimit të shtetit ligjor, duke e cilësuar në këtë kontekst zbatimin e plotë të reformës në drejtësi vendimtare për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt proceseve integruese si dhe shprehu mbështetjen gjermane në këtë drejtim.

Dy Ministrat shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe theksuan impaktin pozitiv të Procesit të Berlinit, i cili ka jetësuar një bashkëpunim të përforcuar mes vendeve të rajonit.

Ministri Bushati falënderoi Ministrin Roth për heqjen e rezervës për vulën Apostille nga ana e shtetit gjerman, e cila do të mundësojë lehtësimin e procedurave konsullore për qytetaret tanë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Izraeli vazhdon sulmet në Gazë mes shpresave të ndërmjetësuesve për armëpushim

Izraeli vazhdon sulmet në Gazë mes shpresave të ndërmjetësuesve për armëpushim