Një sekser politik të Ramës e ka quajtur Alibeajn i caktuari nga “Rithemelimi” për negociatat e presidentit, Luçiano Boçi. Sipas deputetit të PD një i “shkarkuar” si Alibeaj, nuk mund të thërrasë Grupin e Rithemelimit për negociata lidhur me çështjen e presidentit.
Ai tha se Alibeaj pasi “hodhi në erë” procesin kushtetues për presidentin duke u ulur në prehrin e Ramës, tani po kërkon të përçajë edhe Grupin parlamentar të PD.
“Alibeajt, tani që Rama e ka zyrtarizuar si sekser politik, i ngjan se mund t’i vendosë kushte dhe vetë Partisë Demokratike.
Deklaron teatralisht se do të thërrasë dhe grupin e rithemelimit për negociatat me kusht!? Një i shkarkuar nga demokratët nuk mund të vendosë kushte. Këtë thirrje nuk e ka seriozisht dhe sinqerisht për zgjedhjen e Presidentit.
Pasi hodhi në erë procesin kushtetues për presidentin, duke u ulur në prehrin e Ramës si i preferuari i tij, tani po kërkon të kënaqë Ramën dhe të sanksionojë përçarjen e Grupit Parlamentar në dy grupime, njërin prej të cilëve e zotëron ai me hipotekë.Grupi Parlamentar i PD është një, jo siç do ta shohë z. Alibeaj., të bërë copash. Thirrjen e tij e vendos Kryesia e grupit, jo një deputet. Unë dhe Z. Salianji në cilësinë e nën/kryetarit e kemi kërkuar me këmbëngulje mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit, ku të sanksionohej rikthimi i të shkarkuarve, por z. Alibeaj e ka refuzuar, mgjs i ka munguar dhe tagri për ta bërë. Sot i duhet diversioni dhe përsërit refrenin e mospranimit të Z. Berisha.
Po kërkon kështu njëherazi të legalizojë veten, bashkëpunimin e pistë me Ramën dhe të vulosë përçarjen për hir të axhendave të njohura. Z. Alibeaj me veprimet e tij të disata ka dëmtuar interesin e demokratëve dhe po shpëton fytyrën e Ramës. Partia Demokratike është e vendosur për të vazhduar negociatat në nivel politik jashtë skemave të paracaktuara në zyrat e Ramës, për t’i dhënë shqiptarëve një President të denjë.", shkruan ai.
Lajmi kryesor: