SHBA -  Hasan Billa është 56-vjeçari shqiptar që është arrestuar nga Zyra e Bostonit e Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) gjatë një operacioni. Mësohet se, Billa përballet me akuza shtetërore që lidhen me një hetim të fshehtë të zhvilluar më 28 maj në Hartford për shfrytëzimin e të miturve.

Sipas mediave të huaja, mes akuzave të ngritura janë tentativa për sulm seksual të shkallës së dytë, tentativa për abuzim seksual të një të mituri dhe tentativa për kontakt seksual me një person nën moshën 16 vjeç. Operacioni u zhvillua nga Policia e Hartfordit në bashkëpunim me Task Forcën e FBI-së për Krimet Kundër Fëmijëve dhe Trafikimin e Qenieve Njerëzore.

Sipas policisë, një detektiv i infiltruar ishte paraqitur online si një vajzë 15-vjeçare, ndërsa Billa dhe dy persona të tjerë kishin udhëtuar drejt një adrese në Hartford, me pretendimin se do të takonin një të mitur për marrëdhënie seksuale. Tre personat u arrestuan pa incidente dhe fillimisht u vendos një garanci prej 500 mijë dollarësh.

Agjencia amerikane e njoftoi arrestimin më 25 shtator, duke deklaruar se ai ishte pjesë e operacioneve të synuara në ëolcott. Deri në publikimin e raportimeve, ndaj Billës nuk kishte pasur një vendim gjykate dhe akuzat ndaj tij mbeteshin në pritje. ICE nuk ka bërë publike detaje të tjera mbi statusin e tij të emigracionit apo nëse ai ndodhet aktualisht në paraburgim të agjencisë