Nëna e Alexei Navalny thotë se zbulimi se i biri vdiq nga helmimi me toksinë bretkose, e ka vërtetuar bindjen e saj se ai është vrarë.

"Kjo konfirmon atë që e dinim që nga fillimi", tha Lyudmila Navalnaya ndërsa vizitoi varrin e djalit të saj në Moskë të hënën, në përvjetorin i dytë të vdekjes së tij, shkruan BBC.

"Ne e dinim se djali ynë nuk vdiq thjesht në burg, ai u vra”, shtoi ajo.

Të shtunën, Mbretëria e Bashkuar dhe 4 aleatë europianë publikuan një deklaratë ku thanë se Navalny, i cili vdiq në vitin 2024, u vra duke përdorur një helm të zhvilluar nga një toksinë bretkose dhe se vetëm shteti rus kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për të përdorur këtë toksinë vdekjeprurëse.

Rusia i ka hedhur poshtë me vendosmëri akuzat.

"Sigurisht, ne nuk i pranojmë akuza të tilla. Ne nuk pajtohemi me to, i konsiderojmë të anshme dhe të pabaza. Dhe, në fakt, i hedhim poshtë me vendosmëri", tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

E veja e Navalny-t, Yulia, ka kujtuar gjithashtu dyvjetorin e vdekjes së tij, duke shkruar në një postim në rrjetet sociale: "Ne kemi arritur të vërtetën dhe do të arrijmë edhe drejtësinë një ditë".

Alexei Navalny, u vra duke përdorur një toksinë vdekjeprurëse që gjendet tek bretkosat helmuese në Amerikën e Jugut.

Gjurmë të epibatidinës u zbuluan në mostra nga trupi i Navalny-t dhe kjo ka shumë gjasa që rezultoi në vdekjen e tij dy vjet më parë në një burg në Siberi.

Epibatidina është një alkaloid shumë toksik i nxjerrë nga lëkura e bretkosës helmuese të Amerikës së Jugut të quajtur Epipedobates tricolor, ose bretkosa shigjetë.

Navalny ishte një aktivist i shquar kundër korrupsionit dhe politikani më i spikatur opozitar në Rusi për më shumë se një dekadë. Në kohën e vdekjes së tij në një burg në veri të Artikut, Navalny po vuante një dënim prej 19 vjetësh burgim nën akuza për ekstremizëm, që ai dhe mbështetësit e tij kanë thënë se ishin të motivuara politikisht dhe ishin hakmarrje për aktivitetin e tij kundër Kremlinit.

Ai ishte në burg që nga janari i vitit 2021, kur u arrestua pasi u kthye në Rusi pas shërimit në Gjermani nga një helmim me agjent nervor, të cilin ai e përshkroi si një tentim-vrasje të sponsorizuar nga shteti, të kryer nga agjentët rusë të sigurisë dhe të miratuar nga Putini.