TIRANE - "Fiqiri Muça kishte qëllim ta trafikonte jashtë kufijve Nazime Vishën, për këtë arsye ajo e ka vrarë". Kështu kanë deklaruar në emisionin “Urbanika” prindërit e Nazime Vishës, Mejte dhe Beqir Visha. Babai i 18-vjeçares hedh fakte se Fiqiri Muça kishte edhe 3 vajza të tjera për të cilat kishte planifikuar t’i dërgonte për trafikim në Kosovë, por ato kanë shpëtuar.

Emisioni “Urbanika” ka shkuar për vizitë në shtëpinë e Nazime Vishës në fshatin Mal Vilëz, fshati i cili ndan Tiranën nga qyteti i Burrelit. Në këtë shtëpi varfëria ndjehet në çdo hapësirë. Nëna e Nazimes, Mejte Visha shprehet se ajo ende nuk mund ta besojë atë që ka ndodhur, për të është ende një ëndërr.

shtepia e nazime vishes
shtep[ia e nazime vishes
(Në të dy fotot: Shtëpia e Nazime Vishës në fshatin Mal Vilëz të Tiranës)

“Pasi Fiqiriu e rrëmbeu vajzën 10 ditë në pyll unë piva helm për të vrarë veten, por më shpëtuan njerëzit këtu afër. Më pas ne e dërguam vajzën tek gjyshja në fshatin Krrabë për ta siguruar dhe Fiqiriu i shkonte edhe atje. Ditën që e vrau ai i kishte shkuar atje dhe i kishte thënë hajde shpejt se do ikim në Kosovë se janë hapur kufijtë. Nazimja i ka thënë "Prit të marr disa rroba" dhe më pas ka dalë me armën në dorë duke e qëlluar”, rrëfen nëna e Nazimes. Ajo apelon për më shumë humanizëm për vajzën e saj, për të ajo u mbrojt nga përdhunuesi i saj dhe nuk e vrau me dëshirë, por nga frika.

nena e nazime vishes
(Në foto: Nëna e Nazime Vishës)

"URBANIKA" EDHE NE FAMILJEN E FIQIRI MUÇOS, KU 5 JETIMET DHE E VEJA VUAJNE

Gjithashtu, emisioni “Urbanika” ka vizituar edhe familjen e Fiqiri Muçës në fshatin Kullë në Manëz. Bashkëshortja e tij së bashku me 5 jetimë gjendjet në kushte shumë të vështira ekonomike. Në familjen Muça diskutohet buka e gojës. Askush prej tyre nuk punon dhe borxhet janë të pashlyeshme për ta. Mynyre Muça nuk pranon vendimin e gjykatës për Nazime Vishën dhe kërkon drejtësi. Gjithashtu, e veja, Mynyre Muça nuk pranon akuzat për trafikim të qënieve njerëzore për bashkëshortin e saj. “Të gjitha janë gënjeshtra dhe sajesa të Beqir Vishës. E gjitha familja ime u shkatërrua nga Nazime Visha, unë nuk do ta fal kurrë atë që ka ndodhur”, shprehet Mynyre Muça.
Gruaja e Fiqiri Muces
(Në foto: E veja dhe djali 6-vjeçar i Fiqiri Muçës)

Po ashtu edhe nëna e Fiqiri Muçës, Hatixhe Muça apelon se nuk mund ta falë atë që ka ndodhur. “Nuk mund ta fal që djali im të kalbet në dhe, e 5 jetimë të vuajnë për bukën e gojës. Nazimja e dinte se djali im ishte me familje dhe ajo është shkaktarja për gjithçka që ka ndodhur”, thotë nëna e Fiqiri Muçës.

Nena e Fiqiriut
(Në foto: Nëna e Fiqiri Muçës)

AVOKATJA E NAZIMES, VJOLLCA PUSTINA, E FTUAR NE EMISION

“Nazime Visha mund të ishte dënuar edhe me burgim të përjetshëm. Në aspektin ligjor për mua ka marrë minimunin e dënimin për të tilla vrasje duke marrë parasysh edhe faktet dhe provat. Në çështje penalet nuk mund të ketë krahasime mes tyre. Çdo çështje ka specifikën e vet, sepse vrasja është për krime kundër jetës në kushtet e vetëmbrojtjes. Organi i akuzës është shumë i përgatitur dhe e falenderoj për gjykimin e tij. Nuk kemi pranuar që këtë vrasje e kemi kryer me paramendim, pasi kështu e ka cilësuar gjykata.”- kështu është shprehur në studion e programit “Urbanika”, Vjollca Pustina, avokatja mbrojtëse e Nazime Vishës.
Avokatja thotë se provat kryesore ishin: pyetja e njerëzve për dëshmitë si nëna e Nazimes, taksisti që ishte me viktimën, si dhe tabulatet telefonike dhe mesazhet e fotot, por më shumë janë bazuar në tabulatet telefonike.

Avokatja e nazimes
(Në foto: Avokatja e Nazime Vishës, Vjollca Pustina)

“Kam bërë një mbrojtje, për të bindur gjykatën me fjalë, pasi prova nuk kishim, pasi ajo ka kryer vrasjen nën trysninë e terrorit, kërcënimeve të vazhdueshme për 5 vite”, thotë avokatja Pustina.

VJOLLCA PUSTINA: "NUK BESOJ SE GJYQTARIN E ZURI GJUMI"

Ndërsa për gjyqtarin Petrit Çomo i cili është filmuar nga A1Report në gjyqin e Nazimes duke fjetur gjatë momentit kur ajo kërkonte mëshirë, avokatja Pustina thotë: “Ka momente njeriu që i vjen keq, pavarësisht se është e pandehur, mendoj se mund të ketë menduar për të gjithë këtë histori të dhimbshme. Nuk e besoj se do e ketë zënë gjumi, unë gëzoj shumë respekt për gjyqtarin Petrit Çomo. Mendoj se ka momente njeriu kur pëson një zhgënjim njerëzor, sepse njihet ky gjyqtar si njeri me zemër shumë të madhe dhe besoj se kjo ka qënë, tronditja që ka pësuar nga historia e Nazimes.”.

Gjithashtu avokatja thekson edhe një herë ashtu sikur është shprehu në gjykatë se kjo situatë mund të kishte përfunduar si ajo e Aishe Vatës. “Fiqiriu i ka shkuar edhe në shkollë dhe u kërkonte llogari edhe mësuesve. Pse e mbani Nazimen më shumë në shkollë, si mund të rrinë këto mësuese pa reaguar tek prindërit e Nazimes. Shoqëria jonë është shumë indiferente dhe pikërisht për këtë gjë do të dëgjojmë, ka edhe të tjera histori si këto”, thotë avokatja.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)