TIRANË- Prokuroria e Tiranës merr të pandehura dy mjeket obstetre gjinekologe, Ibrime Mata dhe Enriketa Kroi, për neglizhencë në trajtimin mjekësor të një nëne të re, e cila për pasojë humbi foshnjën. Të dyja mjeket, të cilat punojnë në spitale private, dyshohen se kanë neglizhuar gjendjen e rëndë të gruas shtatzënë me inicialet G.S., e cila vuante nga pre-eklampsia, një gjendje që shpesh prek gratë shtatzëna, por që kërkon ndjekje dhe trajtim rigoroz.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, nga hetimet e nisura në vitin 2023, rezultoi se 2 mjeket, nuk kanë respektuar protokollet standarde, nuk kanë monitoruar shenjat vitale të gruas shtatzënë si dhe nuk kanë reaguar ndaj ndryshimeve shqetësuese në gjendjen e saj. Më konkretisht, nga hetimet rezultoi se mjekja Ibrime Mata nuk ka hapur dhe nuk ka mbajtur historikun e të dhënave mjekësore për shtatzëninë e gruas, pavarësisht se ka kryer ekzaminime dhe ka ndjekur rastin për një periudhë të gjatë kohe.
“Pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme të pacientes, kjo mjeke nuk ka bërë ekzaminime të detajuara shtesë. Kjo ka çuar në lindjen e një foshnje prematurë me probleme serioze shëndetësore dhe vdekjen e saj, si dhe rrezikimin e rëndë të jetës së nënës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në këto kushte, pacientja i është drejtuar mjekes tjetër Enriketa Kroi, por edhe ajo me veprimet dhe mosveprimet e saj, cenoi jetën dhe shëndetin e nënës e të fëmijës. Gjatë kohës që e ndiqte, pacientja ka shfaqur simptoma të rënda të pre-eklampsisë së formës së rëndë. Megjithatë, mjekja nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të trajtuar ose për të parandaluar përkeqësimin e kësaj gjendjeje pavarësisht vizitave në klinikën private.
“Nuk ekziston asnjë dokument që të provojë se gjatë kësaj periudhe janë matur parametrat vitalë të pacientes, si tensioni apo pesha trupore”, thuhet në njoftim.
Në fund, pacientja është shtruar në maternitetin “Koço Gliozheni”, u vlerësua se gjendja e preeklampsisë kishte avancuar në atë pikë që kërkoi ndërprerje të menjëhershme të shtatzënisë.
Vetëm dy javë më parë Prokuroria e Tiranës mori të pandehur 2 gjinekologë për ‘neglizhencë në trajtimin mjekësor’, që çoi në humbjen e jetës së një foshnje të sapolindur në korrik 2021 në maternitetin ‘Koço Gliozheni’. Kallëzimi u bë nga nëna, pasi humbi foshnjën si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes natyrale nga përdorimi i forcepsit.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Tiranës
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë merr të pandehur shtetaset E.K. dhe I.M. për veprën penale ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor’ parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal, të dyja me profesion mjeke obstetër-gjinekologe.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.225, të vitit 2023, të nisura pas denoncimit të shtetases G.S., rezultoi se këto dy mjeke, kanë treguar sjellje të pakujdesshme dhe neglizhente që përfshijnë mosrespektimin e protokolleve standarde, mosmonitorimin e shenjave vitale dhe mosreagimin ndaj ndryshimeve shqetësuese në gjendjen e pacientes.
Më konkretisht, nga hetimet rezultoi se mjekja I.M. nuk ka hapur dhe nuk ka mbajtur historikun e të dhënave mjekësore për shtatzëninë e shtetases G.S., pavarësisht se ka kryer ekzaminime dhe ka ndjekur rastin për një periudhë të gjatë kohe. Pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme të pacientes, kjo mjeke nuk ka reaguar duke mos bërë ekzaminime të detajuara shtesë. Kjo sjellje ka çuar drejtpërdrejt në pasojat më të rënda, pikërisht lindjen e një foshnje prematur me probleme serioze shëndetësore dhe vdekjen e saj, si dhe rrezikimin e rëndë të jetës dhe shëndetit të nënës.
Në kushtet kur nga ana e mjekes I. M. po neglizhohej, pavarësisht shqetësimeve të saj dhe gjendjes së përkeqësuar pa asnjë përmirësim, pacientja iu drejtua edhe mjeke E.K. për të vazhduar ndjekjen e shtatzënisë. Por edhe kjo mjeke kreu një sërë veprimesh dhe mosveprimesh që përbëjnë shkelje të rënda të detyrës së saj profesionale dhe shëndetësore, duke cenuar seriozisht jetën dhe shëndetin e kallëzueses dhe të fëmijës. Gjatë kohës që e ndiqte, pacientja ka shfaqur simptoma të rënda që ishin sinjal i qartë për një gjendje patologjike serioze, e identifikuar më vonë si pre-eklampsi e formës së rëndë. Megjithatë, mjekja nuk ka ndërmarrë asnjë masë mjekësore të përshtatshme për të trajtuar ose për të parandaluar përkeqësimin e kësaj gjendjeje pavarësisht vizitave në klinikën private.
Gjithashtu, nuk ekziston asnjë dokument që të provojë se gjatë kësaj periudhe janë matur parametrat vitalë të pacientes, si tensioni apo pesha trupore. Nëse do të ishte vepruar sipas standardeve, këto matje do të ishin dokumentuar dhe do të shërbenin si bazë për vendimmarrje mjekësore.
Organi i Prokurorisë vlerëson se mungesa e plotë e historikut të të dhënave mjekësore, që shërben për vijimin e mjekimit është vetë një tregues i mjaftueshëm i moszbatimit të detyrimeve ligjore dhe etike që ka një profesionist mjekësor ndaj pacientit.
Në fund, nuk mund të anashkalohet fakti se pacientja është shtruar në maternitetin “Koço Gliozheni” me një diagnozë të rëndë, pre-eklampsi e avancuar, dhe se gjendja e saj kishte avancuar në një pikë të tillë që kërkoi ndërprerje të menjëhershme të shtatzënisë. Kjo situatë ishte rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së ndjekjes së duhur mjekësore dhe mosmarrjes së masave parandaluese nga mjeket që e kishin ndjekur më parë, E.K. dhe I.M.
Për sa më sipër Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë çmon se veprimet/mosveprimet e mjekeve obsetër E.K. dhe I. M. plotësojnë të gjithë kriteret që kërkon legjislacioni penal shqiptar për t’i cilësuar këto veprime si elementë të figurës së veprës penale të "Neglizhenca në trajtimin mjekësor ", e parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
Lajmi në përditësim...
Komente











