Nëna kot e keni! Jeni vetëm fare

Nëna kot e keni! Jeni vetëm fare
Në momentin që keni nevojë reale për ndihmë, atëherë kur mund të rrezikoni jetën, ekzistencën, kur në dëshpërim kërkoni reagim, do ta vini re sesi nuk do të merrni asnjë përgjigje. Mund të keni komunikimin më të afërt, më njerëzor, plot të qeshura, hare e shaka sa jeni mirë, sa nuk keni halle e probleme, por të vetmen herë që ju do të kërkoni ndihmë, do të keni realisht nevojë për një fjalë, për një veprim, për një takim, për një ndërhyrje shpëtuese, atëherë do të kuptoni se jeni fare vetëm. Kush ju thonte juve dhe gjithë botës: më shkruani, më kërkoni ndihmë, unë jam këtu për ju, për të gjithë, ai ose ajo, do të zhduket... Vetëm nëse jua ka nevojën, vetëm nëse jua dëshiron votën, vetëm nëse jua ka frikën apo jeni individ që keni target për të pasur përreth servilë, atëherë po. Mund të shihni veprimin nga ana tjetër përmes një maili, një letre, një telefoni. Do ta ndjeni veprimin e një Shteti.

Mesa duket  gjyqtaren e vrarë, Fildes Hafizi, nuk e kishte frikë njeri, askush nuk ja kishte nevojën për shërbime të rëndësishme gjyqësori apo servilizma administrate. Në kujtimet e një kolegeje që e ka njohur, Rovena Rrozhani, lexova portretin e një gruaje që me pasion, punë e përkushtim ka ecur përpara vetë. E kush mund ta ndihmonte një grua, një nënë të tillë! Cili shqiptar do ta merrte mundimin të bëhej barrierë ndaj dhunës e kërcënimeve. Një politikan? Një politikane? Një gjyqtar? Një polic? Media? Po si të shkojmë e të trokasim në media e të kërkojmë ndihmë? Media është kazan e nga kazani të gjithë kanë frikë. Larg medias që deri para pak vitesh ishte streha e klithmave të dëshpërimit të nënave të kërcënuara, të njerëzve të brishtë.
 
Prandaj unë them: Nëna, vajza, kot e keni. Jeni nën kërcënim e rrezik? Bëhuni dinake. Gjeni vetë të gjitha rrugët për të mbijetuar, me çdo kusht e në çdo rrethanë, sepse, vetëm derisa ka jetë, ka shpresë për të transformuar edhe bishën më të tmerrshme njerëzore. Vetëm derisa ka jetë, mund të gjendet rruga e shpëtimit një ditë.

Flasim për shtetin, për sistemin, ngremë gishta mbi këtë e atë, sikur të mos jemi ne vetë copëzat që e bëjmë të tërën. Po ngrihen disa, si dallgët mbi një det të tërbuar e duket sikur kanë të drejtën të bëjnë moral vetëm se janë në majë për pak sekonda, derisa të zhyten sërish në të përbashkëtën shoqëri. Harrojnë se jemi përbërës të një sistemi të gjithë. Të këtij deti vlerash që çalojnë, që thahen, sidomos kur njerëzit kanë nevojë reale për ndihmë.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Dorëzoni armët, ose do groposeni me to', Erdogan paralajmëron rebelët kurdë në Siri

'Dorëzoni armët, ose do groposeni me to', Erdogan paralajmëron rebelët kurdë në Siri