TIRANE- Nëna që mbyti foshnjën e saj dy muajshe, Oriola Lleshi nga fshati Kuturma i Librazhdit, nuk ka folur asnjë fjalë gjatë gjithë kohës kur zhvillohej seanca gjyqësore. Ajo qëndroi kokë ulur, duke qarë dhe vetëm në momentin kur është pyetur për gjeneralitetet i është pergjigjur gjyqtarit Klodian Kurushi. Asnjë nga familjarët e saj nuk ishin të pranishëm në seancë, duke e lënë të vetme në procesin gjyqësor.

Duke parë gjëndjen e rënduar të 30-vjeçares, gjykata vendosi që të kryhet akt-ekspertimi psikik i saj. Mësohet se pas arrestimit, Oriola Lleshi pranoi në polici mbytjen e foshnjës, por pretendoi se fëmija ishte fryt i përdhunimit nga një kushëri i bashkëshortit. Por, gjatë ballafaqimit me të riun dëshmia e saj ndryshoi. Të dy pranuan se prej kohësh kishin një lidhje intime. Mbytjen e foshnjës Oriola Lleshi e justifikoi për shkak të gjendjës së rëndë psikologjike të krijuar pas sherrit dhe debatin me bashkëshortin, që ka refuzuar të njohë atësinë.

Gjykata caktoi masën e sigurisë "arrest me burg“ ndaj 30-vjeçares Oriola Lleshi, për akuzën "e vrasjes me dashje të foshnjës“ të sapo lindur. Ajo që është më tragjikë,është se foshnja e mitur është refuzuar të meret nga familja e burrit të Orila Lleshit dhe familja e të dashurit të saj. Që prej ditës kur ka ndodhur krimi i rëndë, trupi i foshnjës është braktisur në morgun e spitalit, ku asnjë prej anëtarëve të familjes nuk pranon të paraqitet për ta tërhequr. Ndërkohë 30-vjeçaria është braktisur edhe nga anëtarët e familjes së saj, ku asnjëri prej tyre nuk është paraqitur në gjykatë. Pritet që në ditët në vijim ndaj Oriola Lleshit të kryehet një kontroll psiqik për të mësuar gjëndjen e rënduar psikologjike në të cilën ajo ndodhet për momentin.

Shkrimi u publikua sot 3 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)