Një delegacion parlamentar nga Hungaria tha më 7 mars se e mbështet aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO. Kështu tha nënkryetari i parlamentit hungarez, Csaba Hende, pas një takimi me kryetarin e parlamentit suedez, Andreas Norlen, në Stokholm të Suedisë.
“Ne e mbështesim anëtarësimin e Suedisë në NATO”, tha Hende për agjencinë suedeze të lajmeve TT.
![]()
Disa ligjvënës hungarezë kanë ngritur dyshime nëse duhet t'i mbështesin aplikimet për anëtarësim në NATO nga Suedia dhe Finlanda, duke përmendur ato që ata i quajnë "gënjeshtra të hapura" nga Stokholmi dhe Helsinki për gjendjen e demokracisë në Hungari. Por, delegacioni hungarez tha të martën se parlamenti do ta ratifikojë përfundimisht aplikimin e Suedisë në NATO.
Më 2 mars, Parlamenti i Hungarisë njoftoi se ka shtyrë ratifikimin për dy javë dhe ligjvënësit hungarezë pritet të votojnë në seancën e 20 marsit. Hungaria mbetet i vetmi vend anëtar i NATO-s, që përveç Turqisë, nuk ka miratuar ende aplikimet e dy vendeve nordike për t'iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore.
NATO kërkon që të 30 shtetet të ratifikojnë aplikimet për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera. Partia e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka mbështetur pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Por, opozita hungareze ka kritikuar partinë e Orbanit se po zvarrit këtë çështje./REL

