Departamenti Amerikan i Shtetit ka përgëzuar Shqipërinë për anëtarësimin në Marrëveshjet Artemis. Në publikimin e ndarë në faqen zyrtare, shkruhet se Shqipëria mbetet një nga aleatët më të ngushtë të SHBA-ve dhe në përputhje me çështjet prioritare dypalëshe e globale.

Publikimi i plotë:

Departamenti Amerikan i Shtetit përgëzon Republikën e Shqipërisë për anëtarësimin në Marrëveshjet Artemis (Artemis Açords). Shqipëria është vendi i 73-të që nënshkruan këto marrëveshje deri më tani, duke u angazhuar për eksplorimin dhe përdorimin paqësor të hapësirës.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i nënshkroi marrëveshjet në emër të Republikës së Shqipërisë më 21 shtator 2026. Zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, dhe zëvendësndihmëssekretari i Departamentit të Shtetit, Connor Tomlinson, morën pjesë si dëshmitarë dhe përshëndetën nënshkrimin gjatë një ceremonie të zhvilluar në selinë e NASA-s, Mary W. Jackson NASA Headquarters, në Uashington, D.C.

Shqipëria mbetet një nga aleatët më të vendosur të Shteteve të Bashkuara. Ajo vazhdon të jetë në përputhje të ngushtë me Shtetet e Bashkuara për çështjet prioritare dypalëshe dhe globale.

Shtetet e Bashkuara dhe shtatë vende të tjera themeluan Marrëveshjet Artemis në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, si një grup parimesh praktike për të udhëhequr eksplorimin e përgjegjshëm të hapësirës.

Shqipëria i bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera duke konfirmuar parimet e Marrëveshjeve Artemis për zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve civile në hapësirë. Departamenti i Shtetit dhe NASA drejtojnë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për promovimin dhe zbatimin e Marrëveshjeve Artemis.