Nënshtrimi i Rusisë që nga koha e Carit, pse vijon ende një shoqëri autarkike

Nënshtrimi i Rusisë që nga koha e Carit, pse vijon ende një shoqëri autarkike

(Vijon nga numri i kaluar)

Kapitalizmi si rend shoqëror ekziston prej gati pesë shekujsh. Lindi në fillim në Angli, në Vendet e Ulëta pas revolucioneve të përgjakshme. Por beteja vendimtare ishte Revolucioni Amerikan i viteve 1776-1783 dhe Revolucioni Francez i viteve 1789-1794. Më pas në shek. XIX u zhvilluan një varg revolucionesh në shtetet evropiane, që përmbysën feudalizmin në të gjitha bastionet tradicionale. Më tej shoqëria kapitaliste njohu kriza, reforma, luftëra lokale e botërore. Gjithsesi, pas çdo stadi, shoqëria ndryshonte e fitonte tipare të reja të panjohura më parë. Kapitalizmi pa mohuar liberalizmin dhe ekonominë e tregut, u bë më social, bashkoi liberalizmin me demokracinë dhe krijoi koncepte e legjislacion të veçantë për liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë mënyrë po të ndiqet rrugëtimi i kaptalizmit evropian, ai ka pasur dinamikën e tij dhe nuk kapet dy herë me të njëjtën pamje.

     Rusia e kishte njohur kapitalizmin dhe në vitet 1815-1917 përjetoi një varg ndryshimesh, që synonin ta përshtasnin atë me kushtet e një rendi të ri social-ekonomik. Me gjithë faktorët frenues, të kushtëzuar nga pozita ekonomike dhe nga roli politik i feudalëve, si edhe vonesat në zhvillimin politik e shoqëror, Rusia arriti të radhitet midis vendeve me zhvillim mesatar.

     Revolucioni socialist i 1917-s e ndëpreu zhvillimin kapitalist dhe i hapi rrugën socializmit. Pas vitit 191 Rusia i rikthehet kapitalizmit, por thelbësore ishte se ç’natyrë do të kishte shoqëria e rivendosur kapitaliste. Në qoftë se në shek. XIX shteti rus i përshtatej gradualisht kushteve të kapitalizmit pa realiizuar reforma radikale, pas vitit 1991 shoqëria ruse njohu ndryshime të tilla, që për thellësinë dhe ritmin me të cilin u zhvilluan, thuajse nuk u vunë re në asnjë nga shtetet socialiste të Evropës Lindore. Terapia e shokut u zbatua nga qeveria e J. Gajdarit, në të gjithë sektorët e ekonomisë së paralizuar dhe u zhvillua privatizimi masiv. Vetëm privatizimi, duke nxitur konkurrencën e lirë, mund të siguronte krijimin dhe gjallërimin e tregut, plotësimin e kërkesave për artikujt bazë dhe të zhvillohej procesi i kalimit nga ekonomi e planifikuar në ekonomi tregu.

     Kapitalizmi i ri rus, i fundit të shek. XX, i shëmbëllente kapitalizmit të egër evropian të shek. XIX. Kudo viheshin re papunësia masive, mungesa e artikujve bazë ushqimorë, çmimet e larta, zhvleftësimi i rublës, lulëzimi i tregut të zi dhe polarizimi ekstrem. Madje gjendja e vendit u bë e tillë, sa një analist rus e quajti Rusinë “ishulli i gërmadhave industriale”.

     Vetëm pas një dekade këto dukuri u zbutën dhe filloi të lindë edhe shtresa e mesme, pas ripërtëritjes së ekonomisë dhe të shlyerjes së borxheve të jashtme.

     Në kushtet e reja të demokracisë, kur dolën në pah dobësitë e ekonomisë ruse, në fillim të shek. XXI, për të tejkaluar prapambetjen teknologjike në fushën e industrisë u shtrua si domosdoshmëri riindustrializimi. Synimi i drejtuesve të Kremlinit është jo vetëm të rrisin prodhimin global, por edhe cilësinë e mallrave për të konkuruar në tregjet ndërkombëtare.

     Megjithatë, ende Rusia vazhdon të eksportojë kryesisht armë, gaz, produkte nafte, drithëra, lëndë druri etj. Si për GDP-në ashtu edhe për GDP-në për frymë, vendi është shumë larg shteteve të zhvilluara.

     5) Demokracia ruse është ende tepër e brishtë. Kjo natyrë e saj lidhet si me idetë demokratike, që nuk janë bërë ende pjesë e jetës së të gjitha shtresave sociale, dhe me natyrën e institucioneve demokratike që nuk kanë traditë dhe nuk janë sa duhet të konsoliduara. Në vend u përhapën dhe u kultivuan idetë pluraliste, lindën dhe vepronin parti politike me orientim të ndryshëm social-politik, si Partia e Unitetit, partia Komuniste, Partia Liberal Demokratike, Partia Fshatare, Partia Jabloko, Partia Spravedlivaja Rosija (Partia e Rusisë së Vërtetë) etj.

     Midis tyre vend të veçantë zë Partia e Rusisë së Bashkuar apo siç po e emërtojnë shpesh “partia e shefave”. Misioni i saj ka qenë që të mbrojë unitetin federal dhe interesat e oligarkisë politike dhe ekonomike të krijuara gjatë transicionit. Partia ka ndihmuar Kremlinin që të realizojë me shpejtëssi ato ligje e ndryshime që kërkon koha. Duma e shtetit nuk i shëmbëllen parlamenteve perëndimore. Në të nuk ka ballafaqim alternativash dhe prej vitit 2004 thuajse opozita nuk përfaqësohet. Në vitin 2004, kryetari i Dumës B. Gzillov, deklaronte se “Duma nuk është vend i diskutimeve politike”. Edhe Partia Komuniste ndryshoi pozicionet radikale të mëparshme dhe duke përfituar nga benefitet e deputetëve, de facto është bërë shtojcë e teknokracisë politike putiniane.

Shoqëria civile në Rusi, e distancuar nga simotrat perëndimore

Pavarësisht se plurlizmi është pjesë e jetës politike të Rusisë, nuk mund të thuhet se idetë e vjetra socialiste apo qëndrimet e vjetra mund të konsiderohen tërësisht të kaluara. Këto ide dhe qëndrime ushqehen edhe nga vetë kushtet e konkurencës, nga ngritja e çmimeve, papunësia, inflacioni etj., që organikisht lidhen me kapitalizmin. Për sa u përket institucioneve shtetërore, ato duan kohë që të bëhen të qëndrueshme, të bazohen tërësisht në shtetin ligjor dhe të përjashtojnë çdo shfaqje të subjektivizmit dhe të korrupsionit.

     6) Brishtësia lidhet edhe me dobësitë e shtetit ligjor. Nga ana formale pushtetet: ligjor, legjislativ dhe ekzekutiv janë të ndara.

     Por nuk mund të mos vihet re epërsia e pushtetit ekzekutiv dhe ndikimi i theksuar i tij në pushtetin ligjor. Balancimi i pushteteve dhe kontrolli reciprok midis tyre, lidhen jo vetëm me funksionet formale të organeve të caktuara shtetërore, por edhe me shkallën e zhvillimit të shoqërisë civile dhe me rolin e mjeteve të informacionit masiv. Shoqëria civile në Rusi është e distancuar nga simotrat perëndimore. Ajo është mjaft apatike. Në Rusi nuk mungojnë organizatat joqeveritare dhe gjithfarë shoqatash që vëzhgojnë jetën e vendit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Intelektualët rusë që i drejtojnë ato nuk qëndrojnë pas kolegëve perëndimorë, por ata kanë hapësirë të kufizuar pasi ndesheen me arbitraritetin e organeve ekzekutive. Në të njëjtat pozita ndodhen edhe organet e shtypit dhe kanalet televizive, që më shumë mbrojnë politikën qeveritare dhe fare pak ose aspak nuk kritikojnë politikën e brendshme dhe të jashtme të presidentit. Kjo do të thotë se e drejta e fjalës dhe e informimit ekzistojnë vetëm formalisht. Mjetet e informacionit masiv veprojnë tërësisht sipas interesave të partisë në fuqi dhe në formë propaganda ruse është identike me propagandën e vjetër sovjetike.

Në kushte të tilla shumica parlamentare, që prej dy dekadash drejton venin dhe përcakton presidentin, kontrollon gjithçka kurse opozita është thuajse formale dhe ka veprimtari relativisht të kufizuar. Në Rusi nuk ka alternim alternativash, d.m.th. mungon ai tregues që ka zhvilluar e konsoliduar demokracitë perëndimore. Sado pozitivisht të vlerësohet Partia e Unitetit, kjo forcë nuk mund të jetë racionale në të gjitha hapat e politikës së brendshme e të jashtme. Për më tepër, kjo parti dhe presidenti mbajnë qëndrime të nacionalizmit agresiv në raport me të tjerët.

Pushteti i Putinit, antentate dhe vrasje të drejtuesve të opozitës

Gjithashtu, ndonëse ka pasur mjaft kritika ndaj presidentit për politikën e brendshme, ato nuk janë parë si element dallues i një shoqërie që njeh dhe respekton të drejtat e njeriut, por si kritika subjektive dhe shumë aktivistë opozitarë dhe gazetarë janë dënuar si shkelës të ligjit. Gjithashtu në shumë raste janë organizuar atentate dhe janë likuiduar fizikisht drejtues të opozitës dhe të gazetarëve opozitare. Në shkurt 2015 u vra, pas një atentaati në Moskë, lideri i opozitës Boris Nemcov, i njohur për kritikat e pandërprera ndaj presidentit Putin.

     Rruga për lindjen, formimin dhe konsolidimin e demokracisë është komplekse dhe me mjaft barriera që duhen kaluar. Midis tyre thelbësore është se demokracia mund të “vendoset vetëm atëherë kur elitat sunduese janë të bindura se kostot ekonomike të demokratizimit dhe integrimi i lidhur me to, i shtresave më të varfëra të shoqërisë, janë më të ulëta se sa kostot për shtypjen që do të duhen të harxhohen, nëse do të ruhej regjimi i vjetër”.

     7) Një ndër tiparet dalluese të demokracisë ruse është se ajo paraqitet si “demokraci e mbyllur, ose e drejtuar”. Pushteti i presidentit është shumë i gjerë dhe ai thuajse dikton jetën politike në vend, ndërsa procedurat demokratike dhe liritë thuajse bëhen formale. Në dallim me vendet e zhvilluara perëndimore, ku shoqëria demokratike është e hapur, në Rusi është krijuar një shoqëri autarkike. Der në njëfarë shkalle tipi që ka lindur ka lidhje me traditat historike të vendit. Një vend me territor dhe me popullsi të madhe, sipas psikologjisë ruse nuk  mund të drejtohet veçse duke i dhënë kreut të shtetit fuqi të jashtëzakonshme. Kështu vendi kaloi nga Cari (që qeveriste në emër të Zotit), te sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste (që udhëhiqte duke u nisur nga një

ideologji totalitare) dhe pas vitit 1991 te presidenti fuqiplotë (që ka për detyrë të quajë unitetin federal). Kjo detyrë specifike lidhet ngushtë me nacionalizmin ekstrem dhe shprehet në të gjitha hapat që ndërmerr qeveria ruse në politikën e brendshme e të jashtme.

     Në Rusi, në dallim me vendet perëndimore dhe me vendet ish-socialiste të Evropës Lindore, nuk ka alternim alternativash dhe gara elektorale është formale. Kandidati i përkrahur nga pushteti del gjithnjë fitues, pasi ka mbështetjen e radios dhe të televizionit, siguron mbështetje pushtetare dhe financiare dhe sepse komisionet zgjedhore të rangjeve të mesme e të larta janë nën kontrollin e pushtetit, ndërsa roli i komisioneve të ulëta dhe i vëzhguesve është i pandjeshëm. Është bërë traditë që sado herë zhvillohen zgjedhje në Rusi, komisionet dhe opozita paraqet akuza për falsifikime, të cilat zakonisht nuk merren parasysh. Puna arrin deri aty sa liderët e partive opozitare nuk gjejnë as votat e tyre në qendrat ku votojnë. Raste të tilla janë vënë re nga partitë opozitare në Moskë, në Shën Petërburg dhe në qytete të tjera të vendit.
Vladimir Putin.jpg" style="height:543px; width:780px" />

Rasti i zgjedhjeve në vitin 2009 për në Dumën e Moskës

Në rrafshin teorik, me sa duket, nddonëse ka kaluar më tepër se një çerek shekulli nga rënia e socializmit dhe nga kalimi në pluralizëm, në Rusi ende nuk është kuptuar se shoqëria pluraliste është e para dhe e vetmja që e përligj opozitën dhe e ligjëson atë. Pra këtu kemi të bëjmë me një dukuri të paparë në historinë politike botërore. Në qoftë se shtrojmë pyetjen: a mund të cenohet stabiliteti i shtetit? Kjo nuk ndodh sepse në shoqërinë pluraliste primar është konsensusi i bindjes ndaj ligjit dhe grupet opozitare kanë mundësi të vijnë në pushtet, pa përdorur dhunë, nëpërmjet procesit të alternimit.

Vetë grupet opozitare nuk kanë interes të mbështeten te ligjshmëria që ofron metodat e dhunës. “Nëse në kundërshtim me këto arsyetime, - thekson Delsol, - ata vendosin të përdorin forcën, struktura pluraliste bie vetë dhe nga ai moment ndodhemi në gjendje të luftës civile, domethënë në situatë jopolitike – politika konsiston pikërisht te qeverisja jashtë forcës ose duke e përdorur atë vetëm si mjet të fundit”.

     Tipik ka qenë rasti i zgjedhjeve në vitin 2009 për në Dumën e Moskës, ku drejtuesi i Partisë Jabloko nuk gjente as votat e familjes së tij. Ndërkaq prokuroria nuk pranoi ta hetonte rastin gjoja duke mos pasur rastin për shtrembërim të rezultateve.

     Sistemi elektoral është përpunuar në mënyrë të tillë që të sigurojë përparësinë e partisë qeveritare “Parti e Unitetit”, të sigurojë epërsi në jetën politike. Pragu i hyrjes në Dumë është vendosur me qëllim 7% që të përjashtohet mundësia e përfaqësimit të partive të vogla dhe partia qeveritare ose “partia e shefave”, të ketë në çdo kohë primatin politik. Presidentët Jelcin, Putin dhe Medvedev kanë qenë lierë kryesorë të kësaj partie. Për më tepër, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit është vënë re se Rusia mori tiparet e një republike ku pushteti trashëgohet duke paracaktuar presidentin e ardhshëm. Në vitet 2000-2008 president ishte V. Putin. Rrethi i tij politik zgjodhi si president për vitet 2009-2014 një nga funksionarët kryesorë të administratës Dimitri Medvedjevin, kurse V. Putin u caktua kryeministër me kompetenca mjaft të gjera. Në vitin 2014 presient u rizgjodh Putin kurse Medvedev u caktua kryeministër. Sikurse shihet u krijua një oligarki politike ku janë mbledhur të gjithë besnikët e presidentit nga kuadrot e bashkisë së Petërburgut, apo kuadro të ish-KGB-së dhe

(Vijon në numrin e ardhshëm)  (Fragment nga libri “Nga Gorbaçovi tek Putini”, A.Mezini. Titujt dhe nëntitujt janë redaksionalë. Përgatiti për botim Dhurata Hamzai)
 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë