Si u instalua dhe rezistoi për 75 vjet regjimi totalitar në Bashkimin Sovjetik

Si u instalua dhe rezistoi për 75 vjet regjimi totalitar në Bashkimin Sovjetik

Janë të rralla vendet që në harkun kohor të një shekulli të kenë njohur si Rusia dy transicione radikale me drejtim të kundërt, që përfshinin transformime e reforma, të cilat ndryshuan natyrën e rendit politik e shoqëror. Këtu nuk ishte fjala për revolucione politike që ndodhin shpesh në shoqëri dhe që në fund të fundit modifikojnë ose përsosin marrëdhëniet ekonomike, politike e shoqërore në kuadrin e të njëjtit rend. Përmbysja e parë radikale ndodhi pas fitores së revolucionit socialist në tetor të 1917-s. revolucioni u konceptua dhe u realizua sipas platformës së Partisë.


Bolshevike, e cila synonte ndërtimin e një shoqërie të re, të panjohur në historinë botërore.

     Kërkimi i rrugëve të reja të zhvillimit u bë prirje e dukshme në botën liberale në fillim të shek. XX. Lufta e Parë Botërore ishte shprehje e plotë e krizës së botëkuptimit liberal dhe të alternativës liberale. Rrugëdalja nga kriza kërkohej duke pasur parasysh traditat social-politike, shkallën e zhvillimit të demokracisë, pasojat e krizës, intensitetin e luftës klasore dhe raportet e forcave politike, etj. Në shtetet e vjetra kapitaliste si Anglia, SHBA-ja, Holanda, vendet skandinave, etj., pranohej kriza e shoqërisë liberale por mënjanimi i saj kërkohej vetëm nëpërmjet reformave dhe me metoda radikale që mohonin demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Nga koha e viteve ‘20, por sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, u forcua bindja për vlerat e shoqërisë së hapur dhe se kapitalizmi është shoqëri e aftë të reformohet pafundësisht. Në disa vende të tjera si vendet skandinave, në vitet ’30, pas ardhjes në pushtet të partive social-demokrate, lindi dhe u zhvillua alternativa socialdemokrate. Sidomos pas luftës ky tip alternative u përhap në një varg vendesh të Evropës, kur drejtonin socialdemokratët. Kursi i socialdemokratëve dallohej nga teoria dhe nga praktika e socializmit totalitar sovjetik. Socialdemokratët ishin për një ekonomi sociale tregu dhe për mbrojtjen e sistemit politik demokratik. Modeli i alternativës socialdemokrate arriti kulme zhvillimi në Vendet Skandinave, në Gjermani (kur drejtonin socialdemokratët, 1966-1992), në Austri, në Zvicër, në panjë gjatë drejtimit të Partisë Socialiste Punëtore në vitet ’80-‘90 etj. Me rëndësi studimore është përvoja drejtuese e viteve 1997-2010 e Partisë Laburiste dhe idetë e Toni Blerit për zgjidhjen e çështjeve sociale, arsimore e kulturore.

Në disa shtete pasojat e luftës ishin aq kritike sa krijuan mundësi për lindjen e partive fashiste (më 1919 Itali, më 1919 në Gjermani), të cilat ndoqën alternativën e terrorit dhe të luftës. Ekstremistët e së djathtës ekstreme duke u bazuar në teoritë raciste, shoviniste, ekspansioniste përgatitën dhe shpërthyen Luftën e Dytë Botërore që i kushtoi aq shumë popujve.

     Në Perandorinë Ruse protagonistë të ndryshimit u bënë bolshevikët. Në vitin 1903 u krijua Partia Punëtore Socialdemokrate Ruse. Fill pas krijimit u pa qartë se krahu i majtë ekstrem i socialdemokratëve rusë, i udhëhequr nga V. I. Lenini, vuri në qendër të veprimtarisë së tij revolucionin proletar dhe diktaturën e proletariatit. Ata u bënë protagonistë kryesorë të luftës së armatosur në revolucionet e viteve 1905 dhe 1917. Rrethanat historike i ndihmuan bolshevikët të kenë përparësi mbi forcat e tjera politike dhe në tetorin e vitit 1917 të organizojnë kryengritjen e armatosur, e cila çoi në vendosjen e diktaturës së proletariatit në formën e shtetit sovjetik. Liderët e bolshevikëve, si para dhe pas triumfit të revolucionit socialist, pohonin se do të ndërtojnë një shtet të tipit të ri, një demokraci të re. V. I. Lenini, si teoricien kryesor dhe arkitekt i shtetit sovjetik, është përpjekur të argumentojë natyrën klasore dhe politike të shtetit sovjetik si model i diktaturës së proletariatit si dhe rolin udhëheqës të partisë komuniste në këtë model.

     Kështu lindi dhe u konsolidua regjimi socialist totalitar, i cili ekzistoi për 75 vite dhe mbështetej tërësisht në ekonominë e planifikuar socialiste. Në këtë hark kohor ka pasur periudha, si ato të viteve 1926-1939 dhe 1946-1960, kur vendi njohu një zhvillim të vrullshëm intensiv dhe u shndërrua në superfuqi. Megjithatë gara midis dy sistemeve ishte komplekse dhe përfshinte të gjitha fushat. Bolshevikët, duke u bazuar në konceptet teorike leniniste, ishin të bindur se do ta fitonin garën me kapitalizmin, se do të krijonin një rendiment pune shumë më të lartë se ekonomia kapitaliste perëndimore, se mirëqenia dhe standardet e jetesës në socializëm do të ishin shumë më superiore se sa treguesit që arrinte bota perëndimore.

     Por bilanci historik rezultoi fatal për socializmin. Sidomos pas krizës së viteve 1973-1974 potenciali krijues dhe mundësitë për zhvillim intensiv në botën socialiste shteruan, filloi stanjacioni ekonomik, i cili në vitet ’80 u shndërrua në krizë të thellë ekonomike e sociale. “Shekulli i njëzetë, - pohon M. Albright, - ka qenë një dramë epike për Rusinë, që ngërtheu në vetvete revolucionin, shtypjen dhe luftën, një dramë në të cilën është luajtur një luftë e thellë ideologjike, gjatë së cilës u fitua dhe u humb edhe titulli aq shumë i dëshiruar “superfuqi”.

     Përpjekjet e reformatorëve komunistë që nga Hrushovi, Brezhnjevi e deri te Gorbaçovi për të ndalur krizën dështuan dhe në fillim të viteve ’90 të shek. XX, shoqëria ruse përjetoi ndryshimin e dytë radikal. Këtë radhë zhvillimet ishin në sens të kundërt, pasi synimi ishte që të ndërtohej ekonomia e tregut dhe shteti demokratik, i cili njeh dhe mbron të drejtat e njeriut.

Periudha e re e tranzicionit për vendet e Evropës Lindore.

 2. Pas kolapsit të komunizmit në vitet 1989-1991 filloi periudha e re e transicionit për vendet e Evropës Lindore dhe për ish-republikat sovjetike. Në vetvete ky ishte një problem i ri, i patrajtuar në teoritë ekonomike, politike dhe shoqërore.

     R. Gilpin ka vënë në dukje se “problemi i transicionit është i ri, në kuptimin se bota kurrë më parë nuk kishte përjetuar një transicion prej një tipi shoqërie jashtëzakonisht të industrializuar drejt një tipi tjetër jashtëzakonisht të industrializuar shoqërie”.

     Transicioni kudo u shoqërua me deindustrializim, kaos ekonomik dhe recesion të ashpër. Këto dukuri çuan në kriza të thella politike e në revolta sociale, të cilat buronin nga reformat për privatizimin dhe nga ndarja e pabarabartë e pasurisë kombëtare. Pikëpamjet politike e ekonomike për rrugën dhe rezultatet e transicionit janë tepër të larmishme. R. Gilpin dallon për këtë drejtim tre shpjegime kryesore: a) Transicioni u përcaktua nga doktrina e neoliberalizmit, b) transicioni u përcaktua nga trashëgimia kulturore, c) transicioni u përcaktua nga kriza e qeverisjes.

     Shpjegimi neoliberal mbështetet në arsyetimet tradicionale të ideologëve liberalë. Sipas tyre gjithçka ndodhi në vendet ish-socialiste u përcaktua nga kalimi prej ekonomisë së komanduar dhe të centralizuar drejt ekonomisë së tregut. Ekonomia socialiste mbështetet në logjikën e planifikimit dhe synonte të realizonte prodhimin në global, pa llogaritur cilësinë e mallit apo sa dhe si i përgjigjet kërkesave të punonjësve. Kalimi në ekonominë e tregut rrëzoi praktikat e mëparshme të prodhimit dhe synonte që çdo aspekt të lidhej me tregun. Me këtë shpjegohen shkurtimi i prodhimit, zvogëlimi drastik i fuqisë punëtore, vendosja e standardeve të reja për kualifikimin, adaptimi i metodave të reja menaxhuese që i përgjigjen privatizimit masiv etj.

     Të gjitha këto dukuri që janë produkt i reformave kapitaliste, për liberalët janë normale dhe thelbësore për krijimin e një ekonomie funksionale tregu. Parë në këtë prizëm është normale që ekonomia dhe jeta social-politike në fillim shkojnë keq dhe më pas të gjithë sektorët e jetës fillojnë gradualisht të normalizohen. Natyrisht që politikat liberale dhe në veçanti privatizimet masive çojnë në pabarazi të theksuar sociale dhe në rritjen e papunësisë. Asnjë shtet ish-socialist nuk ishte i përgatitur për këto procese dhe reformat u shoqëruan me tensione politike. Terapia e shokut, e ndjekur në Rusi dhe në ish-republikat sovjetike, varfëroi miliona njerëz dhe programet sociale të zbatuara shumë pak kompensonin nevojat social-ekonomike të shtresave të varfëra në qytet ddhe në fshat.

Sipas përkrahësve të shpjegimit të dytë, transicioni më tepër është i lidhur me trashëgiminë kulturore, me mentalitetet dhe me zakonet e kultivuara të shoqërisë socialiste, që mbeten pas kohës dhe nuk përputhen me ekonominë e tregut. Komunizmi kërkonte njerëz të bindur, pasivë dhe psikologjikisht të nënshtruar. Shoqëria komuniste ishte shoqëri e nomenklaturës partiake, ku vendi dhe roli i individit përcaktohej nga shkaku që ndodhej ai në nomenklaturë. Fillimi i transicionit ndikoi që të ddalin në plan të parë edhe shumë çështje, të cilat koha i kishte lënë në harresë. Të tilla ishin nacionalizmi dhe konfliktet nacionale.

Përmasat marramendëse të terrorit dhe të spastrimeve masive

Totalitarizmi sovjetik aplikoi në përmasa marramendëse terrorin dhe spastrimin masiv. Në vitin 1937, sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, në Bashkimin Sovjetik janë zhdukur 17 milionë banorë. Proceset e bujshme të viteve 1936-1938 likuiduan çdo element që dyshohej për qëndrime të huaja dhe në veçanti u godit dhe u likuidua garda e vjetër e partisë. Nën pretekstin e ruajtjes dhe të forcimit të unitetit federal, popujt nënshtroheshin me dhunë ose internoheshin kur kundërshtonin kolektivizimin apo synonin të mbronin kulturën dhe identitetin e tyre. Qindra mijëra hebrenj, tartarë, ukrainas, kazakë etj., u internuan në hapësirat e pafund të Siberisë. Është vështirë të gjesh të dhëna se sa ka qenë numri i banorëve që kanë kaluar në sistemin e gulagëve. Sipas të dhënave, në fund të vitit 1949, në gulagë ishin internuar 2.561.351 veta. Në çdo vit, në kampe, për shkak të kushteve të vështira të punës dhe të jetesës, humbnin jetën dhjetëra mijëra të internuar.

     Vetëm në vitin 1947 vdiqën 66.830 të internuar.

     Dikur mendohej se shoqëria sovjetike e kishte zgjidhur çështjen nacionale, por fill pas shpërbërjes së shtetit federativ sovjetik dolën në pah kontradiktat dhe hendeku midis ish-republikave socialiste. Në tërësi, ndërtimi i kapitalizmit demokratik kërkon një kulturë të re qytetare, një mentalitet të ri për të mirën publike dhe për përgjegjësinë shoqërore, një psikologji të re që i përgjigjet shoqërisë demokratike dhe ekonomisë së tregut.

     Shpjegimi më i përhapur është ai që lidh vështirësitë e mëdha të transicionit me krizat e qeverisjes. Kolapsi shtetëror u shoqërua kudo me rrënimin ekonomik. Burokracia shtetërore shfrytëzoi postet për të grabitur pasuritë publike dhe për t’u pasuruar vetë nëpërmjet privatizimeve të korruptuara. Gjithashtu elitat politike, si në ish-shtetin sovjetik ashtu edhe në vendet e Evropës Lindore, nuk njihnin sa dhe si duhet konceptet bazë të neoliberalizmit për rolin minimal të shtetit dhe për rolin e tij në kushtet e ekonomisë së tregut. Elita politike që qeverisi në kushtet e transicionit nuk studioi në mënyrë kritike teoritë liberale, prandaj u vunë re kudo plagë të rënda ekonomike e socialee. Në mënyrë të veçantë, në Rusi u vu re paqartësi dhe instabilitet kronik në fushën e reformave institucionale. Kishte kaos teorik dhe organizativ, shumë institucione ishin të paqëndrueshme dhe etja për fitime të shpejta ushqeu shkeljen e rregullave e të ligjeve dhe të korrupsionit. Sidomos periudha jelciniane ishte e tillë që Rusia stigmatizohej si modeli i shtetit të korruptuar.

     3. Fillesat e transicionit lidhen me perestrojkën gorbaçoviane në mesin e viteve ’80. Ideja se nuk mund të vazhdohej më si më parë filloi të kristalizohej jo vetëm tek inteligjencia, por edhe në rrethet e larta të Partisë Komuniste. Ka shumë mistere për ardhjen në pushtet të Gorbaçovit, të cilat nuk dihet se kur do t’i sqarojë historia, por është e diskutueshme se dalja në skenë e Gorbaçovit dhe perestrojka e gllasnosti nuk mund të konsiderohen si dukuri e rastit, por përpjekje për të korrigjuar dhe reformuar realitetin në shoqërinë sovjetike. Por realisht ato as e korrigjuan dhe as e reformuan rendin socialist. Perestrojka dhe gllasnosti mbetën një projekt i dështuar.

     Mendimi i ri politik dhe përpjekjet për një “socializëm tregu” dolën blof dhe autoriteti i komunistëve ra në nivelin minimal, pasi ishte partia e tyre që drejtoi vendin për shtatë dekada e gjysmë. Reformat që projektoi Gorbaçovi kishin karakter liberal, por gjithsesi nuk preknin bazat e sistemit politik shoqëror, prandaj transicioni si proces radikal ndryshimesh filloi vetëm pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Reformat e viteve ’90 të shek. XX, i hapën rrugën ekonomisë së tregut dhe krijimit të institucioneve të shoqërisë së re. Këto reforma, në fillim të shek. XXI dhe më saktë, gjatë presidencës së dytë të V. Putinit (2204-2008), çuan në ndërtimin e një shoqërie të re, që ishte antipodi i shoqërisë sovjetike. Këto reforma përfshinë rendin politik konstitucional, jetën ekonomike në qytet dhe në fshat dhe krijuan të gjitha hapësirat për lindjen dhe zhvillimin e provës private, ndryshuan strukturën sociale, jetën kulturore dhe mentalitetin e qytetarit.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

(Titujt dhe nëntitujt janë redaksionalë. Përgatiti Dhurata Hamzai)


  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë