Reshje shiu dhe ulje temperaturash do të shoqërojnë fundjavën dhe fillimin e nëntorit, ndërsa e hëna pritet të sjellë reshje më intensive në jug të vendit, ku nuk përjashtohen edhe problematikat. Megjithatë, dimri nuk pritet të sjellë ulje drastike të temperaturave.

Kështu u shpreh specialistja e IGJEO, Anira Gjoni, e ftuar në emisionin “Sot Live” në Report TV me gazetarin Nertil Agalliu, ku foli për parashikimin e motit gjatë ditëve në vijim dhe muajit nëntor.

Sipas saj, gjatë kësaj fundjave vendi do të ndikohet nga masa ajrore më të lagështa, të cilat do të sjellin reshje të dobëta dhe lokale të shtunën dhe të dielën. Situata pritet të ndryshojë të hënën, kur reshjet, veçanërisht në jug do të arrijnë intensitet mesatar.

“Përgjatë kësaj fundjave pritet të kemi kushte të paqëndrueshme atmosferike të cilat do të sjellin edhe depërtimin e masave më të lagështa që do të gjenerojnë shi. Për të shtunën dhe të dielën pritet që reshjet të jenë të dobëta dhe lokale ndërsa e hëna sjell reshje në jug që arrijnë një intensitet mesatar. Reshje të dobëta do të kemi të martën gjithashtu që do të prekin të gjithë territorin e vendit" tha Gjoni.

Sa u përket temperaturave, nga sot termometri pritet të shënojë një rënie me 2 gradë. Gjatë fundjavës, në Tiranë dhe zonat e ulëta temperaturat minimale do të jenë 10-11 gradë, ndërsa maksimalet do të arrijnë në 17 gradë.

Në bregdet, temperaturat do të luhaten nga 13-14 gradë në mëngjes deri në 16 gradë gjatë ditës, ndërsa në zonat malore minimalet do të zbresin në 5 gradë dhe maksimalet do të arrijnë në 10 gradë.

Por reshjet nuk do të kufizohen vetëm në ditët e para të nëntorit. Sipas Gjonit, dy javët e para të muajit do të karakterizohen nga reshje dhe temperatura më të ulëta, ndërsa gjysma e dytë pritet të sjellë mot më të kthjellët.

“Gjatë dy javëve të para të nëntorit do të kemi prezencën e reshjeve dhe temperatura pak më të ulëta. Dy javët e dyta të nëntorit do të kemi një ngritje temperaturash prej 2-3 gradësh dhe mot më të kthjellët. Nuk presim ulje drastike temperaturash këtë dimër”, tha Gjoni.