TIRANE - Pjerin Prendi sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, rezulton të jetë kunati i gjyqtarit të Apelit Tiranë, njëherësh anëtarit të KLD-së Gjin Gjoni. Mësohet se Prendi është emëruar në këtë detyrë që prej muajit Gusht të vitit të kaluar.

Në rrethin e familjarëve të punësuar në KLD hyjnë dhe të afërm të Elvis Çefës, duke e shndërruar institucionin e KLD-së në një model të klientelizmit dhe nepotizmit. Ndërkohë të pyetur nga gazeta “Shqiptarja.com”, zyra e marrëdhënieve me shtypin ka deklaruar se nuk ka asnjë nepotizëm,pasi në KLD, janë të punësuar dhe persona që kanë lidhje familjare me deputetët e Partisë Socialiste si Fatmir Xhafa apo Olta Xhaçka.

Anëtari i KLDsë, Gjin Gjoni gjatë kësaj jave është përfshirë në një sërë akuzash nga inspektoriati i deklarimit të pasurisë, inspektorët e të cilëve kanë depozituar një kallëzim penal kundër Gjin Gjonit, bashkëshortes së tij Elona Çaushi dhe dy notereve të cilat mendohet se kanë falsifikuar kontratat.

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)