TIRANE- Ambasadorja franceze në Shqipëri Christine Moro ka reaguar lidhur me ligjin e Nëpunësit Civil. Pas aktivitetit që ambasada franceze kishte organizuar në lidhje me trajnimin e ekspertëve për luftën kundër pastrimit të parave, ambasadorja Moro ka reaguar ndaj ligjit të Nëpunësit Civil.

Sipas saj kjo është një nga temat më të nxehta në Shqipëri, dhe ka nevojë për të marrë përgjigjet e nevojshme nga juristët, lidhur me faktin nëse ky ligj duhet të hyjë sa më parë në fuqi apo jo.
 
Ndërkaq, ambasadorja franceze Christine Moro, ka vënë theksin në rëndësinë e zbatimit të ligjit edhe sa i përket ndryshimeve në administratë.
 
“Dua të bëj një koment të shkurtër lidhur me zhvillimet e aktualitetit. Desha të flas për funksionet publike dhe në lidhje me administratën shqiptare. I referohem çështjes aktuale që po diskutohet lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Nuk dua të bëj komente lidhur me këtë çështje pasi janë juridike dhe teknike, por desha të theksoj se duhet të respektohet fryma e ligjit. Dhe thelbi i ligjit është se administrata e lartë është e bazuar mbi kompetencat, eksperiencat, mbi paanshmërinë lidhur me politikën. Është shumë e rëndësishme të respektohet ligji për të ruajtur një stabilitet të administratës. Administrata ka nevojë për ndryshime, por jo radikale. Lidhur me faktin nëse ligji hyn në fuqi apo jo, duhet të përgjigjën juristët”, tha ambasadorja Moro.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)