TIRANË - Miratimi i statusit kandidat për Shqiprinë mund të bëhet sërish peng i njerit prej tre ligjeve të miratuara me konsensus para zgjedhjeve. Mungon koha për zbatimin e klauzolave
të parashikuara nga ligji i ri për nëpunësin civil.

Është zhvilluar dje një takim me dyer të mbyllura midis disa përfaqësuesve të qeverisë Rama, kryesuar nga ministrja Milena Harito dhe disa ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Shqetësimi i shprehur nga Ekzekutivi shqiptar diplomatëve evropianë ka të bëjë me problematikën që mund të shkaktojë mosrealizimi në kohën e parashikuar nga ligji 152/2013 i hartimit të një numri jot ë vogël aktesh nënligjore, pa të cilat nuk mund të implementohet në kohë ligji i ri për nëpunësin civil. Ligji ishte një nga tre kushtet, që përcaktoi BE për vendin tonë që të mund të pranohet me statusin e kandidatit.

Që të marrë statusin e lakmuar në dhjetor, Shqipëria duhet, jo vetëm të miratojë në Parlament ligjin, gjë që tashmë është bërë, port ë sigurojë që këtë vit hyrjen në fuqi të tij. Sipas ligjit në fjalë, ai ka fuqi duke filluar nga 1 tetori 2013. Por, për të zbatuar kërkesat e tij, duhet të miratohen Vendime të Këshillit të Ministrave apo Udhëzime ministrore, të cilat do të kërkonin, nga ana tjetër, edhe 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare të rradhës për të hyrë në fuqi. Deri sot, asnjë akt nënligjor i tillë nuk është marrë, ndërkohë që 1 tetori po afron.

Nga burime brenda takimit me ambasadorët mësohet se tek të dy palët ekziston tashmë shqetësim se ndoshta nga ndonjë vend që nuk do të ishte shumë i gatshëm të jepte OK për statusin kandidat Shqipërisë do të shfrytëzonte momentin për të bllokuar procesin.

Në këto kushte, cila do të ishte zgjidhja?
Një nga opsionet do të ishte amendimi i ligjit, që të shtynte për disa javë hyrjen e tij në fuqi. Për këtë, do të duhej patjetër vota e opozitës, pasi fjala është për një ligj që kërkon shumicë të cilësuar. Rreziku është që opozita, pavarësisht nga premtimet se nuk do të pengojë procesin e aderimit, të shfrytëzojë këtë moment për të bërë presion, duke ua ngarkuar fajin Ramës dhe ministrave të tij për neglizhencë, sikurse u duk dje në deklaratën e bërë nga ish-ministri Halimi.

Në këtë rast, procesi ka rrezik të bllokohet për “kapriçon” politike të rradhës së një force politike, që do të synonte të fitonte kapital politik, ndërkohë që nuk tha asnjë fjalë paralajmëruese për të shmangur ngërçin.

Hipoteza e dytë do të ishte ajo e një kompromisi, jo shumë të dëshiruar, as nga Ekzekutivi dhe as nga Brukseli, që aktet nënligjore të mbeteshin ato që janë sipas ligjit të vjetër, ndërkohë që do të përgatiteshin akte të reja sipas ligjit të ri, me ndihmën e një shoqate konsulence pranë Brukselit, SIGMA. Kjo nuk do të realizonte në praktikë në kohën e duhur ndryshimet e parashikuara nga ligji, i kërkuar nga BE, por nuk do të bllokonte procesin.
 
DIFEKTET
Ndërkohë që po diskutohet hyrja në fuqi e ligjit, ekspertët kanë vënë re që në të ka disa gjëra që nuk shkojnë. Këto nuk ishin vënë re gjatë hartimit dhe gjatë miratimit të tij.

Një prej tyre ka të bëjë me Nenin 67, sipas të cilit vendoset një lloj “amnistie” për nëpunësit e parregullt. Sipas këtij neni, ata përsona që janë të punësuar në të njejtin vend pune, edhe jashtë kushteve e kërkesave të këtij ligji, mund të konsiderohen si nëpunës civilë në provë për një vit, që fillon nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Pra, në rast se do të vendoset largimi i tyre, ata mund të kërkojnë nga Gjykata një dëmshpërblim prej një ose më shumë viti pagë.

Një problem tjetër është papajtueshmëria me Kushtetutën e Nenit 37, që thekson se nëpunësi civil nuk mund të shprehë publikisht bindjet e tij politike. Kjo bie ndesh edhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në të cilën Shqipëria aderon dhe që garanton shprehjen e lirshme të preferencave politike edhe nga nëpunësit civilë.

Nga takimi i djeshëm nuk ka dalë asnjë konkluzion. Tirana dhe Brukseli duket se kanë vendosur të konsultohen para se të japin një zgjidhje që të shmangë një ngërç tjetër, që do të kishte pasoja për gjithë shqiptarët.


Shkrimi u publikua sot (25.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)


Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)