TIRANE - Kryetari i Parlamentit Ilir Meta deklaron se akti normativ për shtyrjen e afatit për zbatimin e ligjit të nëpunësit civil ka mbërritur dje në Kuvend dhe bën thirrje për dialog konstruktiv.                                    

“Akti normativ ka mbërritur dje në Kuvend dhe natyrisht do të diskutohet dhe do të vendoset nga Kuvendi. Inkurojajoj të dialogojmë në mënyrë më aktive e konstruktive sepse shërbimi civil i takon të gjithëve dhe çdo polarizim i këtij debate nuk ndihmon në garantimin e të drejtave. "
 
Meta u shpreh i bindur se një veprim i tillë nuk cënon procesin e integrimit.

”Jam i bindur se procesin e integrimit nuk e cënon asnjë nismë e arsyetuar në mënyrë të shëndetshme dhe me qëllime pozitive, prandaj inkurajoj theksoj debatin aktiv edhe gjatë rrugës së procedurave që do të ndjekë Parlamenti lidhur me vlerësimin e këtij akti normative. Besoj se në komisione e seancën plenare argumentet do të bëhen prezente nga ana e qeverisë apo e opozitës. Shpresoj të ketë konsensus përsëri në këtë drejtim"- tha Meta.

Si reagim ndaj akuzave të opozitës se kemi të bëjmë me një atentat të shtetit ligjor Meta tha se mbase mungesa e njohjes me argumentet e karakterit teknik dhe ligjor shtyn në qëndrime të tilla.

" Unë preferoj dialogun dhe jo atentatet dhe në dijeninë time përfaqësues të Qeverisë kanë kërkuar  për dialog dhe kanë shprehur vullnetin për ti bërë të ditura opozitës dhe të tre grupeve të saj parlamentare, arsyet objektive sipas qeverisë që imponojnë këtë akt- normative. Në dijeni time dy prej këtyre grupeve parlamentare kanë zhvilluar takime me ministrat dhe Zëvendëskryeministrin, ndërkohë që grupi parlamentar i  PD-së, e ka zhvilluar një takim të tillë. Mbase mungesa e njohjes me argumentet e karakterit teknik dhe ligjor shtyn në qëndrime të tilla të cilat sidoqoftë nuk duhet të dominojnë këtë debat, i  cili pa dyshim që do të jetë një debat aktiv përderisa kemi të bëjmë me një ligj të rëndësishëm të një çështjeje të rëndësishme, por absolutisht që parlamenti nuk mund të anashkalohet. Ky akt- normative dje ka mbërritur në Kuvend për të cilin do të diskutohet dhe për këtë do të vendoset   nga Kuvendi. Unë inkurajoj të gjithë për të dialoguar në mënyrën më aktive, por edhe më konstruktive sepse shërbimi civil i takon të gjithëve dhe çdo politizim, polarizim i këtij debati  nuk ndihmon në konsolidimin e këtij shërbimi dhe garantimin e gjithë të drejtave që ky shërbim meriton."

I pyetur për bashkimin e Luan Duzhajt deputetit të PR-së me LSI-në Meta nuk pranoi të komentojë por foli për krijimin e një komisioni të përbashkët për reformën administrative dhe territorial, ku opozita do të jetë e ftuar të kontribuojë.  
 
"Nuk kam asnjë koment. E rëndësishme është të ecim në rrugën e konsensusit. Shumë shpejt do të nisim, një komision të përbashkët ku opozita do të jetë e ftuar të luajë nëj rol kyç sa i takon reformës administrative dhe territorial"- tha Meta.

Këshilli i Ministrave miratoi më 30 shtator shtyrjen me 6 muajt të zbatimit të ligjit për Nëpunësin Civil, ligj ky që është kthyer në objekt debatesh mes opozitës dhe mazhorancës.

Akti normativ i miratuar nga qeveria lejon që ky ligj të hyjë që sot në fuqi, por efektet, pra zbatimi i tij fillon vetëm pas gjashtë muajsh, pikërisht në datën 1 prill të 2014.  Duke qenë se është një akt normativ kushtetues, ai kërkon që Kuvendi ta miratojë atë me 84 vota me kalimin e Luan Duzhajt, deputet i PR-së në LSI aktualisht mazhoranca ka 84 votat e duhura për të miratuar këtë akt.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)