Takimi ka nisur me fjalën e drejtuesve të projektit ku është folur mbi shëtitoren e re dhe vazhdimësinë e planit të Himarës, ndërkohë që është ndërprerë disa herë nga ana e banorëve.
Në emër të banorëve ka folur edhe Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, në të njëjtën kohë dhe Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës "Komunitetit Himariot", Nikollaq Neranxi i cili ka replikuar ashpër jo vetëm me drejtuesit e projektit, por edhe me kreun e bashkisë së Himarës Jorgo Goro, i pranishëm në takim.
Në qendër të reagimeve dhe kundërshtimeve, ka qenë pikërisht moszgjidhja e çështjes së pronave të cilat edhe sot e kësaj dite për shumë banorë nuk janë marrë ende.
”Këtu keni një popull që nuk mund ta gënjeni duke dashur t'i merrni dy pasuritë kryesore, pronën dhe emrin. Kemi përballë njerëz që duan të na gënjejnë, të cilët vijnë me një projekt të përfunduar që prej një viti, sipas drejtuesve të projektit, ndërsa drejtuesi i urbanistikës na gënjen duke thënë se po vijnë të na marrin mendimin. Ne duam atë Himarën e bukur me historinë e saj që ju doni të na e merrni. Është e trishtueshme të shohësh se si himarjotët po vdesin pa e gëzuar pronën e tyre." - është shprehur sipërmarrësi i njohur Nikollaq Neranxi.
Ai ka akuzuar kreun e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro se nuk arriti dot të zgjidhte çështjen e pronave në këto 5 vite i cili sipas tij duhet të zgjidhej prej kohësh tashmë, në mënyrë që sot të mund të flisnim për investime dhe investuesit të vijnë në Himarë të negociojnë me pronarët e vërtetë, jo me grabitësit.
Neranxi shtoi se Himara po grabitet, por kjo gjë nuk do të lejohet të vazhdojë më dhe pronat do të mbrohen edhe me gjak nëse do të jetë nevoja.
Pas fjalës së tij, ku shumë pyetjeve që bëri, nuk ka arritur të marrë përgjigjet e duhura, as nga ata që ishin ardhur të flisnin për investime dhe as nga Kryetari i Bashkië Jorgo Goro, Neranxi është larguar nga salla duke bojkotuar takimin, ndërkohë që së bashku me të janë larguar dhe shumica e banorëve të pranishëm në dëgjesën e thirrur nga Bashkia e Himarës.
I shoqëruar dhe nga banorët, Neranxi është drejtuar për në zonën e Livadhit ku ka denoncuar koncesionin e një pjese të plazhit e cila sipas tij i është dhënë në mënyrë të padrejtë nga Bashkia Himarë, disa njerëzve të ardhur nga Tirana duke iu rrëmbyer banorëve të Himarës pronat e tyre.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)