Pavarësisht se ligji për procedurat e reja tatimore është pezulluar, tatimorët do të nisin ditën e martë kontrollet në të gjitha bizneset. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatime do të monitorohet inventari i bizneseve dhe nëse kanë mospërputhje me gjendjen e mallit, do të kërkohet rregullimi i situatës.
 
Më herët Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin për ndryshimet e reja tatimore, por administrata e tatimeve thekson se kontrollohet do të bëhen duke filluar nga data 5 janar.
 
Tatimet do të bëjnë verifikimin e inventarit për vitin 2015-të, me gjendjen fizike të mallit që ka secili biznes. Në rast se bizneset do të gjenden me shkelje atëherë gjobat nuk do të vendoset me ligjin pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, por me ligjin e vjetër. 

Sipas tatimeve do të bëhet kontroll i inventarit kontabël të mallrave të shitjes deri në 31 dhjetor 2015. Do të kontrollohet edhe inventari kontabël i lëndëve të para, inventari i prodhimit në proces dhe inventari i produktit të gatshëm.
 
Inventarët duhet të jenë të detajuar për sa i përket artikujve, njësive, sasive, çmimeve, vlerës si dhe të jenë të ndarë sipas adresës së ushtrimit të aktivitetit të biznesit që mund të jetë magazinë, pikë shitje me shumicë apo pakicë. 

Ndërkohë ligji i ri i cili parashikon gjoba të larta për bizneset dhe do të vazhdojë të jetë i pezulluar derisa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin përfundimtar. Në datën 15 janar do të mbahet seanca dëgjimore me palët dhe vendimi përfundimtar pritet të dalë në fund të muajit janar.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)