Nesër transporti publik në të gjithë vendin do të nisë punën në orën 08:00, dhe jo në 05:30 të mëngjesit. 

Ky vendim është marrë nga shoqatat e transportit në prag të seancës plenare të Kuvendit, ku pritet të votohet paketa fiskale dhe projektbuxheti i vitit 2027.

Operatorët kërkojnë tërheqjen nga rritja e propozuar e TVSH-së nga 20% në 21%, pasi sipas tyre kjo do të sillte për pasojë edhe shtrenjtimin e biletave të autobusëve duke rënduar kostot për qytetarët.

Ky vendim prek transportin urban në Tiranë por edhe linjat ndërqytetëse. Vetëm në Tiranë, rreth 250 mijë qytetarë përdorin transportin publik.

Deklarata e plotë

Në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, më 26 nëntor 2026, ku është parashikuar votimi i Paketes Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban përsërisin kërkesat e tyre për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe e garantimin e një shërbimi publik të përballueshëm.

Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, sjell rritjen të çmimit të biletës për qytetarët, në transportin publik.

Për këtë arsye, njoftojmë se nesër, ditën e enjte, më 26 nëntor 2026, shërbimi i transportit publik, në të gjitha qytetet e vendit, do të nisë funksionimin në orën 08:00. Deri në këtë orë, shërbimi nuk do të ofrohet.

Qëllimi ynë është të shmangim rritjen e çmimit të biletës dhe transferimin e barrës shtesë fiskale te qytetarët. Transporti publik është një nevojë e përditshme për aksesin në punë, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera thelbësore.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e krijuar dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin në konsideratë kërkesat tona, në funksion të ruajtjes së çmimit të biletës dhe vijimësisë së shërbimit publik.

Foto: Deklarata e plotë