Serie A e futbollit në Itali është në raundin e 28-të. Të dielën në orën 20:45 është programuar sfida mes Milanit dhe Interit, e cila luhet në mitikun 'San Siro'. Interi me 67 pikë mban kreun e renditjes, ndjekur nga Milani me dhjetë pikë më pak.

Në prag të këtij dueli shumë të rëndësishëm, trajneri i kuqezinjve, Massimiliano Allegri, foli për mediet. Ai pranoi se Interi është ekip më i fortë se të tijtë, ndaj vëmendja e Milanit duhet të jetë për të siguruar pikë dhe katër vendet e para që të dërgojnë në Champions League edicionin e ri.

"Derbi është gjithmonë një ndeshje unike, speciale dhe e mrekullueshme për t’u luajtur dhe përjetuar. Do të jetë një mbrëmje e madhe sportive, me ekipet e para dhe të dyta në ligë që do të përballen. Por tre pikët janë po aq të rëndësishme sa çdo ndeshje tjetër. Nuk do të jetë e lehtë sepse do të përballemi me një ekip të fortë që ka barazuar vetëm një herë, ka fituar të gjitha dhe ka humbur vetëm katër. Pas ndeshjes, do të shohim nëse jemi ende 10 pikë prapa, 7 pikë prapa apo 13 pikë prapa; do ta mendojmë në fund të ndeshjes. A do të rihapet gara për titullin kampion nëse fitojmë? Na duhen pesë fitore për të hyrë në Champions League", tha fillimisht trajneri.

Fokusi kryesor për Allegrin mbetet kualifikimi për në Champions Leaguen e sezonit të ardhshëm. "Objektivi duhet të jetë i qartë, 57 pikë për momentin nuk janë të mjaftueshme për t'u rikthyer në Champions League, ekipet pas nesh po mbledhin pikë dhe kemi një punë të vështirë përpara", tha Allegri.

Ndërkohë, atmosfera për derbin do jetë elektrizuese. Të gjitha biletat janë shitur prej javësh dhe pritet një nga derbet më të ndjekur të viteve të fundit.

Statistikat tregojnë se dy klubet e qytetit dominojnë edhe në tribuna. Milan regjistron një mesatare prej 72.844 tifozësh në shtëpi, ndërsa Inter ndjek me 71.758.

Në rang evropian, vetëm klube si Borussia Dortmund, Bayern Munich dhe Manchester United kanë shifra më të larta të pjesëmarrjes në stadium, ndërsa Milan madje lë pas edhe gjigantë si Real Madridi.

Superndeshja do të transmetohet në afro 100 vende të botës dhe në tribunat e 'San Siros' priten edhe shumë emra të njohur të sportit dhe spektaklit, mes tyre legjenda si Franco Baresi, Alexandre Pato, Christian Abbiati dhe Mark van Bommel.