TIRANË- Zarfi zgjedhor i KQZ-së nuk do të lihet në kutitë postare të banesave të shqiptarëve në diasporë. Ato merren personalisht nga votuesi, duke takuar postierin e kompanisë së përzgjedhur nga KQZ. Nesër në Parkun Olimpik nis paketimi i 245 953 seteve zgjedhore që do u shpërndahen emigrantëve në 85 shtete të botës ku ata janë regjistruar për të votuar për herë të parë për zgjedhjet e 11 majit.

Postieri do të vijë deri në 3 herë në adresën e dhënë, në ditë të ndryshme e orare të ndryshme.  Nëse nuk e gjen votuesin, do të lërë një shënim për t’i kërkuar atij të shkojë brenda 3 ditësh të tërheqë zarfin në pikën më të afërt postare.

Nëse zgjedhësi nuk shkon ta tërheqë, zarfi kthehet në Shqipëri. Pasi e plotësuat fletën e votimit dhe e futët në zarfet e KQZ-së, a duhet ta postojë pakon në postë, siç bëjmë zakonisht?

Jo, në këtë rast nuk veprohet kështu. Ju duhet të telefononi korrierin tuaj dhe ai do të vijë ta marrë zarfin në shtëpinë tuaj, në një orar të dakordësuar nga të dy.

KQZ iu ka dërguar bashkë me fletën e votimit edhe një numërator, që ka kontaktet e postës për çdo shtetit. Gjeni shtetin tuaj, e telefononi postën.

Kujdes! Mos humbisni shumë kohë, sepse çdo zarf që mbërrin përtej orës 19 të datës 11 maj në Shqipëri, nuk do të lexohet!

Formulari i ankimit

Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka miratuar sot formularin e ankimimit për votuesit shqiptarë jashtë territorit të vendit, të cilëve nuk u është pranuar aplikimi për regjistrim në listën e zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Ata mund të ankohen deri më 11 prill (30 ditë para zgjedhjeve) në portalin e dedikuar enkas për ta në KLGJ.

Sipas detyrimeve të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ngritur me një vendim të 6 marsit një platformë elektronike për të gjithë zgjedhësit nga diaspora, që nuk gjejnë emrin në listat e votimit. Kërkesat e zgjedhësve për të votuar do të dërgohen në adresën diaspora@gjykata.gov.al e më pas brenda 48 orësh Gjykata e Tiranës duhet t'i marrë në shqyrtim. Sipas listës paraprake të KQZ-së për emigrantët që do të votojnë më 11 maj, numri i të regjistruarve zyrtarisht në listën e zgjedhësve nga jashtë është 245,808.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë