Situata me COVID-19/ Komiteti Teknik i Ekspertëve: Mbeten në fuqi të njëjtat masa edhe për 2 javë të tjera, s'lejohen as grumbullimet me mbi 10 veta (VIDEO)

TIRANË- Masat anti-COVID që janë aktualisht do të vijojnë të qëndrojnë në fuqi edhe për të paktën 2 javë! Është ky vendimi më i fundit i Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët kanë sqaruar se edhe pse ka pasur një ulje të lehtë të rasteve, nuk është e mjaftueshme për të lehtësuar masat. Pjesë e vendimeve është edhe ndalimi i grumbullimeve i më shumë se 10 persona, që do të ndikojë edhe në bërjen e fushatës elektorale që do të nisë zyrtarisht ditën e nesërme, 25 mars.

Në më shumë se 1 vit pandemi, COVID-i ka rezultuar më fatal për meshkujt, e ndërsa situata në spitale ka pasur një përmirësim krahasuar me muajin shkurt, por rastet që vijnë shkojnë në gjendje të rëndë. Shqetësim është zgjerimi i hartës së zonave të prekura nga ky virus. Nga 104 fshatra e qytete "të infektuara", tani ka në 140 fshatra e qytete, e nisur nga kjo Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj pati një apel për qytetarët në zona të thella që të kenë më shumë kujdes. Kjo pasi marrja e shërbimit mjekësor për ta është më e vështirë.

Masat që janë ende në fuqi
1.Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.
2.Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).
3.Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.
4.Universitetet vijojnë online
5.Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:39
Brataj: Zgjerohet shtrirja gjeografike e të infektuarve në 140 fshatra e qytete nga 104 që ishin 2 javë më parë (VIDEO)

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se ka pasur një rritje të shtrirjes gjeografike të zonave të infektuara ku nga 104 fshatra e qytete që ishin dy javë më parë kanë shkuar në 140. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes sidomos ato në zona të thella dhe të largëta, pasi edhe marrja e shërbimit do të jetë më e vështirë për ta.

“Në qendrën kombëtare të urgjencës mjekësore ka pasur një ulje nga data 5 mars ndërsa 2 ditët e fundit kemi një rritje të thirrjeve. Numri i misioneve për COVID ka rënë nën 100. Për vitin 2021 janë trajtuar 11. 112 vizita që janë kryer në banesë.  2 Javë më parë kishim pacientë me COVID në 104 fshatra e qytete, tani ka në 140 fshatra e qytete”, tha Brataj.

Ora 15:22
Rakacolli: Ka raste që paraqiten rëndë në spitale, edhe të rinj por jo sa më parë (VIDEO)

Zv. ministrja e Shëndetësisë, Rakacolli pyetjes së Report Tv për situatën në spitale iu përgjigj se numri i të hospitalizuarve ka rënë por ka ende të shtruar në gjendje të rëndë.

"Gjendja e të shtruarve në spital pavarësisht nga moshat është një shqetësim i madh i komunitetit dhe bisedimeve tona. Edhe pse ka rënë numri vijon të mbetet problem se rastet e mbërritur paraqiten në gjendje të rëndë. Edhe mosha të reja ka që paraqiten në gjendje të rëndë por fatmirësisht jo më shumë se më parë", tha ajo.

Ora 15:20
Rakacolli: Nuk do kemi ndryshim të masave edhe për 2 javë! Ndalohen grumbullimet, gjatë fushatës zgjedhore të respektohen rregullat (VIDEO)

Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se masat nuk do të ndryshojnë edhe për dy javë, ku nuk do të lejohen grumbullimet dhe se ora policore do të vijoj të qëndrojë deri në 20:00.  Ajo bëri apel që të respektohen masat gjatë fushatës zgjedhore.

“Nga prezantimi i shifrave ka një tendencë ulje dhe është deri diku e qëndrueshme. Komiteti mendon se këto shifra janë si rezultat i masave të propozuar nga komiteti disa javë më parë dhe respektimi i masave nga popullata, pasi ka një përmirësim të lehtë të zbatimit të tyre, por jo në nivelet që duhet. Në Europë disa vende po hyjnë në atë që quhet vala e tretë. Pavarësisht uljes së indikatorëve situata ende mbetet delikate. Për këtë arsye komiteti ka vendosur që masat të mos ndryshojnë, ora policore nga 20:00-06:00. Baret dhe restorantet do të punojnë vetëm me orën 20:00.online, ndalimi i grumbullimeve dhe pezullim i fluturimeve me Britaninë e Madhe. Vendi po hyn në fushatë zgjedhore dhe në vëzhgim të vendeve të tjera që kanë zhvilluar zgjedhje në kohë pandemie është vërë re se kur masat janë zbatuar nuk ka pasur tendencë rritje të infeksioneve. Prandaj qytetarët të zbatojnë masat mbrojtëse, të ndalojnë grumbullimet, të mbajnë maskat dhe të ruajnë distancën”, tha Rakacolli.

Ora 15:11
Fico: COVID-i më fatal te meshkujt, shifrat nuk janë në ato nivele për të lehtësuar masat (VIDEO)

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico tha se shifrat nuk janë në ato nivele për të lehtësuar masat. COVID-i, tha ajo, ka rezultuar më fatal te meshkujt.

"Më shumë fatal COVID te meshkujt, numri mesatar i të shtruarve në spital ka rënë në 394 nga 466, edhe pse kemi vazhduar me vaksinimin duhet ta kemi të qartë që indikatorët nuk janë ulur në një mënyrë drastike për të marrë masa të një karakteri tjetër. Edhe harta e Europës tregon për një rritje të numrave, prandaj doja të apeloja për qytetarët që të mbajnë maskën, distancimin, respektimi i rregullave dhe masave të ndërmarra", tha Fico.

M.Q./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja