Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në votimin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, nesër në Kuvend. Burime për gazetaren e Report Tv Danjela Maloku, nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, bëjnë me dije se sipas tyre kandidatura e Ardian Dvoranit është e papranueshme për në Gjykatën Kushtetuese.

Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar, pas sqarimeve të dhëna për problemet në procedurën kushtetuese të përzgjedhjes, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka marrë vendim për të mos marrë pjesë në votimin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti demokrat Gazment Bardhi në një shënim në rrjetet sociale thekson se meritokracia dhe jo preferencat politike janë baza e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese. Sipas Bardhit Gjykata Kushtetuese nuk mund të jetë kurrë seksion i Partisë Socialiste.

‘Gjykata Kushtetuese nuk mund të jetë kurrë seksion i Partisë Socialiste. Kandidatura e Ardian Dvoranit është e papranueshme për çdo opozitar! Meritokracia dhe jo preferencat politike janë baza e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese.’- shkruan Bardhi.

Mazhoranca votoi dje kalimin për seancë plenare të tre kandidaturave, Mariana Semini, Ardian Dvorani dhe Arta Vorpsi të përcjella nga KED, duke respektuar renditjen e caktuar nga KED. Sipas ligjit, kuvendit i duhet shumica e cilësuar prej mbi 84 votash në seancë plenare për të përmbysur renditjen e KED. Në të kundërt, Mariana Semini pritet të jetë gjyqtarja që do të plotësojë vakancën në Gjykatën Kushtetuese.

Kreu i Grupit Parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, tha se një prej kandidatëve nuk ka kaluar filtrin e Autoritetit të Dosjeve, pretendim që e rrëzoi kryetarja e komisionit Klotilda Bushka. Report TV ka siguruar shkresën e Avokatit të Popullit nga ku mësohet se kandidati për të cilin flet Alibeaj, është Ardian Dvorani. Në shkresë thuhet se Ardian Dvorani nuk ka kaluar filtrin e Autoritetit të Dosjeve.