Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kundërshtoi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale  për të lejuar hapjen e hetimeve për krime të luftës në territoret palestineze të okupuara nga Izraeli. Netanyahu tha se vendimi është një “antisemitizëm i pastër”.

“Si kryeministër i Izraelit, unë mund t'ju siguroj këtë: me të gjitha forcat tona ne do të luftojmë këtë shtrembërim të drejtësisë. Gjykata, e themeluar për të parandaluar mizoritë si Holokausti kundër popullit Hebre, tani po shënjestron shtetin e popullit hebre", tha Netanyahu në një deklaratë.

Kryeministri i autoritetit palestinez, Mohammed Shtayyehm tha se vendimi i GJNP-së është "një fitore për drejtësinë dhe njerëzimin".

Të premten, GJNP vendosi që ka juridiksion mbi situatën në territoret e okupuara palestineze, duke krijuar rrethanat që kjo gjykatë të hapë një hetim të krimeve të luftës.

Gjyqtarët e saj kishin "vendosur, me shumicë, që juridiksioni territorial i Gjykatës shtrihet në territoret e okupuara nga Izraeli që nga 1967, përkatësisht Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jeruzalemin lindor".

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967 dhe më vonë aneksoi Jeruzalemin lindor.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se ekzistojnë "shqetësime serioze" në lidhje me vendimin e GJNP, duke shtuar se Izraeli nuk duhet të jetë subjekt gjykatës pasi nuk është vend anëtar.