Gjatë fjalës në Samitin e Diasporës, Niko Peleshi tha se sot është e nevojshme që shqiptarët të gjejnë formulën për të ardhmen e kombit. Ai tha se lind nevoja për një meditim kombëtar, ndërsa për shqiptarët në diasporë, theksoi se Shqipëria për ta s’duhet të jetë veç kujtim, por burim ëndrrash.

“Ende nuk mund të themi se e kemi gjetur rrugën tonë, formulën tonë shqiptare për të ardhmen e sigurt e të qëndrueshme të kombit shqiptar. Formulën që duhet t’i mësohet çdo shqiptari sapo lind e kudo që lind, e që transmetohet kështu si një testament nga brez në brez. Bota po ndryshon me shpejtësi. Rreziqe të mëdha i kanosen kombeve, shteteve dhe vetë njerëzimit si pasojë e ndryshimit të ekuilibrave ndërkombëtarë që po prishen dhe revolucionit teknologjik që po transformon çdo aspekt të jetës. Si gjithmonë në histori, kohët e ndryshimeve janë edhe kohë mundësish. Ku e gjejmë veten ne shqiptarët kur e shohim botën dhe njerëzimin nga optika e këtyre zhvillimeve? A duhet të kemi një narrativë të përbashkët unifikuese dhe, nëse po, a mund të themi se e kemi gjetur? Një gjë është të mendosh dhe ndihmosh vendin tënd për nostalgji apo patriotizëm dhe një gjë tjetër është të mendosh si bashkëudhëtar i historisë së re të kombit. Pikërisht këtu mendoj se fillon nevoja për një meditim kombëtar. Shqiptarët në diasporë janë qytetarë të vendeve ku jetojnë. Ata janë pjesë e natyrshme e zhvillimeve dhe sfidave të këtyre vendeve. Por të gjithë kanë me vete një copë Shqipërie. Ajo Shqipëri herë i ka bërë krenarë, herë i ka mërzitur, por ka qenë e do të mbetet gjithmonë aty. Unë jam i bindur se kjo është gjëja më e bukur e çdo shqiptari në diasporë. Është një motiv që e mbush dhe e bën të realizohet sa herë që e prek. Është një burim i kujtimeve që, sa më shumë kalon koha, aq më të bukura bëhen. Çështja është si ta bëjmë atë pjesë Shqipërie jo vetëm një burim kujtimesh, por edhe një burim ëndrrash”, tha Peleshi.


Lajmi kryesor:

Diaspora në Tiranë/ Rama: Bëhuni pjesë e rrugës drejt BE, projekt i madh sa amaneti i të parëve! Ju përmbushëm të drejtën e votës (VIDEO)