New York, Shqipëria zgjidhet
për herë të parë në KDNJ

New York, Shqipëria zgjidhet<br />për herë të parë në KDNJ
NEW YORK- Në zgjedhjet e mbajtura në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ditën e sotme, Shqipëria u zgjodh, për herë të parë, anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ). Anëtarësimi në këtë organ ndërkombëtar do të zgjasë tre vite, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se kjo “përbën njëherazi vlerësim dhe garanci për angazhimin e përhershëm të vendit tonë në çështjet e të drejtave të njeriut në të gjitha frontet”.
 
Ministria e Punëve të Jashtme, në një deklaratë për mediat, thekson se vendi ynë ka shumë për t’i ofruar botës nëpërmjet vlerave që e karakterizojnë. Këto të fundit për Tiranën zyrtare janë harmonia fetare, përkushtimi për fqinjësi të mirë, toleranca dhe mikpritja, ashtu si dhe përvoja e përftuar gjatë reformimit të gjithanshëm që ka kaluar vendi.
 
“Gjatë anëtarësisë së saj 3 vjeçare në KDNJ, Republika e Shqipërisë do të angazhohet për universalizimin dhe pandashmërinë e të drejtave të njeriut, për forcimin e tyre dhe të infrastrukturës së sistemit të OKB-së, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të Këshillit.

Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e saj për përmirësimin dhe zbatimin e kuadrit ligjor dhe institucional, si dhe për avancimin më tej të politikave kombëtare dhe ndërkombëtare, në mbrojtje të të drejtave të njeriut”- shkruan në deklaratën e saj për mediat Ministria e Punëve të Jashtme.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut është, në thelb, një organizatë ndërkombëtare dhe organ i OKB-së, me një përbërje prej 47 vendesh anëtare. Pikërisht vendet anëtare të KDNJ janë përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim