Nga 1 janari 2020, 472 shërbime do të jepen online, ja si mund të aplikoni! Rama: Dokumentet i siguron vetë shteti (VIDEO)

TIRANE-Kryeministri Edi Rama ishte sot te "Tech Space" për lancimin e projektit të shërbimeve që do të jepen vetëm online për qytetarët. Ai deklaroi se nga 1 janari i vitit 2020 do të nisë revolucioni digjital për qytetarët. 472 shërbime që deri sot kërkohen në radhë nëpër sportele, do të kërkohen me aplikime online përmes smartfonit apo kompjuterit.

Qytetarëve nuk do t’u kërkohen më dosje me dokumente shtetërore, po vetëm dokumente që janë individuale dhe të gjithë dokumentet shtetërorë të nevojshëm për dosjen do të sigurohen nga vetë administrata. Qytetarët, sipas kryeministrit do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel për të marrë shërbimin në afatin e përcaktuar ligjor. Kryeministri është besimplotë se ky revolucion do të zhdukë të gjitha radhët për këto aplikime; shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim dhe të eliminojë masivisht ryshfetin.

"Kjo që do të ndodhë është një revolucion. Është e domosdoshme që njerëzit të vihen në dispozicion të këtij sistemi. Nuk është thjeshtë cështja e mundësisë së vetme e aplikimit për shërbime online, që njerëzit të mos jenë të detyruar të vijnë në sportel, por ta bëjnë aplikimin nga shtëpia në telefon. Ky është blloku i parë, në qershor do të ketë një të dytë, ndërsa në dhjetor të 2020 të gjitha shërbimet, me përjashtim të disave që e duan personin aty. Qytetarët do të aplikojnë dhe do të postojnë online vetëm dokumentet personale, një dokument banke, në vërtetim...Ndërsa ato që janë brenda për brenda shtetit do i merrni ju. Pra, kolona e dokumenteve të shtetit do të mbushet nga brenda administratës.

Nëse vjen një qytetar dhe shtatë dokumente, ia kërkojmë deri sot të shkojë ti marrë. Jam unë që garantoj që dokumentet të futen në aplikimin e tij dhe ai të marrë shërbimin në afatin ligjor dhe të paraqitet në filan datë për të marrë atë që kërkon. Qytetarët të shpëtojnë nga radha dhe ecejaket. Nëse ia dalim shkurtojmë kohë dhe tension nervor dhe eliminohet mundësia për ryshfet" tha Rama. Kryeministri deklaroi se në qershor do të hyjë online blloku i dytë i shërbimeve dhe deri në fund të vitit 2020 të gjitha shërbimet "me pak përjashtime të paevitueshme dot për shkak të nevojës së paraqitjes së personit për një aplikim" tha Rama.

Kryeministri mori edhe një shembull për një aplikim që mund të bëhet dhe dokumentet që duhet të sigurojë vetë personi dhe ato që duhet të sigurojë shteti.
"Kur sot shkohet në Kadastër duhet një mal me dokumente që rri në radhë për;
Certifikatë  familjare
Vërtetimin për ushtrinë
Certifikatë martese
Vërtetimin për faktin e dënimit, që lidhet me ish-të dënuarit politikë
Dëshmi penaliteti
Certifikatë lindje
Certifikatë vdekje
Vërtetim për pagesën kalimtare si ushtarak
Vërtetim për ushtrim të aktivitetit privat
Vërtetim si kërkues pune
Vërtetim për pagesën e energjisë
Vërtetim i pagës së papunësisë
Vendim gjykate

Tani nuk shkohet në sportele për 14 dokumente, revolucioni që bëhet është që këto nuk i kërkohen më qytetarit. Unë aplikoj për psh për një vërtetim prone dhe unë kam vetëm këto që janë të miat;  Librezë pune, vërtetim page dhe diplomën e shkollës së lartë. Pjesën tjetër që merret brenda shtetit e siguron vetë shteti.

Dhe unë ose shkarkoj e-Albania dhe bëj aplikimin dhe pres, madje kam mundësi ta ndjek statusin e aplikimit tim dhe gjithë punën e bën shteti për mua dhe në fund kur unë jam në afat dhe aplikimi është procesuar shkoj dhe tërheq dokumentin. Nuk e mban njeri në sirtar që të më fusë në hullitë e ryshfetit dhe marrëdhënia nuk fshihet, pasi institucioni dhe aplikimi monitorohet dhe kur del jashtë afatit është institucioni që kërkon llogari për mua, pse nuk i është dhënë përgjigje. Kjo është baza, nuk do të jetë e lehtë, por kemi shumë besim" tha Rama.

Bashë me kryeministrin ishte edhe Linda Karcanaj, drejtoresha te AKSHI, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila u shpreh se po trajtohen punonjësit për të qenë gati që të ndihmojnë qytetarët apo biznesin për të aplikuar. "Kemi filluar punën për ta bërë realitet, punonjësit po trajnohen, kryesisht ata që deri dje ishin në sportel. Punonjësit do të jenë gati për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset që të aplikojnë vetë. Do të fillojë një epokë e re dixhitale për ofrimin  e shërbimeve për 472 shërbime që jepen nga shteti. Punonjësit do të jenë mediatorët mes institucionit të tyre dhe të tjerave për shërbimet. Platforma është e qendërzuar, dhe do të ketë përdorues të gjithë këto institucione. Dokumentet do të jenë të nënshkruara elektronikisht. Po trajtohen disa institucione" tha ajo.

Por si mund të bëhet një aplikim online? Çdo qytetar mund të regjistrohet te e-Albania nga kompjuteri ose telefoni. Dokumentet shoqëruese që jepen nga shteti sigurohen nga punonjësi, ndërsa qytetari duhet të bashkëngjisë vetëm vetëdeklarimet dhe dokumente që jepen nga privati. Te e-Albania do të gjeni edhe listën e shërbimeve që do të aplikohet vetëm online nga 1 janari i 2020. 

Kalimin e shërbimeve online kryeministri Rama pak javë më parë e cilësoi si një nga shtatë prioritetet e qeverisë së tij për vitin 2020 (lexo ketu).  Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shpjegoi dje se do të synohet që procesi të jetë sa më i thjeshtë, por nga ana tjetër, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, për një periudhë të caktuar pranë sporteleve do të ketë asistencë për qytetarët që duan të dijnë se si kryhet aplikimi online (lexo ketu).

/b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen