TIRANË- Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ka prezantuar 7 prioritetet e qeverisë së tij për vitet e ardhshme.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të paketës speciale AntiKÇK kreu i qeverisë tha se një rëndësi të madhe do të ketë rregullimi i vijës bregdetare, nisur edhe nga aksioni antiformalitet që është bërë gjatë verës ku paralajmëroi burg për pronarët e biznesë që zaptojnë pronën e shtetit. Gjithashtu, një nga prioritetet kyçe Rama renditi edhe legalizimin e shtëpive, theksoi jo të bizneseve, për të shmangur konfliktin për pronën, që në disa raste ka përfunduar me viktima.
Mes të tjerave, në listën e prioriteteve Rama ka renditur edhe Shengenit Rajonal, përtej akuzave apo kritikave të ardhura nga opozita dhe disa përfaqësues të politikës në Kosovë, përmirësimi i infrastrukuturës në Universitete, shërbimet online apo edhe përshkallëzimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
"Prioriteti i parë; Një përshkallëzim i luftës kundër krimit dhe korrupsionit në një nivel të panjohur më parë në Shqipëri është i nevojshëm për organizmin e vendit tonë, i domosdoshëm për ecurinë tonë të mëtejshme dhe jetik për imazhin tonë ndërkombëtar. Të gjitha bashkë janë të lidhura me mirëqenien, me ekonominë, me perspektivën. Kur them imazh, nuk është si do të dukemi, problemi është të dukemi ata që jemi në të vërtetë.
Prioriteti i dytë; Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe deri në fund të 2020-ës të mbyllen komplet të gjitha sportelet që i shërbejnë qytetarëve dhe shërbimet të bëhen online, së paku aplikimet, që të jem i saktë, se jo çdo shërbim mund të mbyllet cikli online komplet. Por kjo është një temë për eventin e shërbimeve. Më 1 janar, - të mos gabohem - rreth 40% e shërbimeve që do të jepen online dhe nuk ka nevojë të çosh letra për të marrë një shërbim. Deri në qershor do të shkojmë në 67% dhe deri në fund të vitit do të shkojmë në thuajse 100%. Kur them “thuajse”, kam parasysh se janë disa shërbime shumë specifike që kërkojnë personin. Nuk duhet të ketë më kontakt midis qytetarit që shërbehet, le të jetë ai kush të dojë, i njohur a i panjohur, i pasur apo i varfër, burrë, grua apo i moshuar, me punë apo pa punë - dhe atyre që shërbejnë e që na e morën fytyrën, na e nxinë jetën nëpër sportelet e shërbimeve.
Qytetari duhet të aplikojë duke depozituar vetëm dokumentet e veta individuale, jo dokumentet që jep shteti. Pra, nëse për të marrë një shërbim, duhen 20 dokumente, vërtetim tatimesh apo nga organet shtetërore dhe duhen dy dokumente individuale, p.sh, vërtetim nga banka apo vërtetim nga punëdhënësi, këto të dyja do të bëjë qytetari, të gjithë dokumentet e tjera brenda shtetit do t’i marrin ata që sot punojnë në sportele. Ata do të kthehen nga gjobëvënës në shërbëtorë, që do punojnë për të plotësuar dosjet e njerëzve dhe për t’u dhënë atyre përgjigje. Dhënia e licencës, e autorizimit, apo çfarëdo dokumenti tjetër bëhet me komunikim, siç bën sot Platforma e Bashkëqeverisjes.
Platforma e Bashkëqeverisjes na ka krijuar mundësinë të shikojmë me sytë tanë se çfarë ndryshimi të madh ka midis komunikimit online dhe komunikimit sy më sy, që është një histori dashurie që kthehet në tmerr mes qytetarit dhe sportelistit.
Pra, mbyllja e sporteleve dhe dhënia e shërbimeve pa kontakt, si dhe dërgimi i dosjeve të plotësuara tek familja drejtpërdrejtë. Kush aplikon online, nëse do, paguan një fee dhe i vjen dosja në shtëpi.
Prioriteti i tretë; Energjia dhe infrastruktura, - nuk i kam radhitur sipas rëndësisë, të gjitha janë njësoj të rëndësishme. Kemi tanimë, falë punës shumë të madhe të bërë nga ministrja, një paketë të tërë ndryshimesh dhe investimesh, që do të filloj të lançohet qysh në javët e ardhshme, me disa investime të mëdha në infrastrukturë dhe njëkohësisht, edhe në energji.
Prioriteti i katërt; Regjimi i ri në vijën bregdetare. E kemi parë me sytë tanë dhe e kemi ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve që vija bregdetare ju është marrë qytetarëve dhe ka mbetur në dorën e të fortëve, lloj-lloj të fortësh. Nuk flasim të fortë në kuptimin e njerëzve me precedentë, flasim për prokurorë. Sikur ta dini sesa prokurorë disponojnë të drejta mbi vijën bregdetare, është për të vënë duart në kokë. Flasim për gjykatës që bëjnë gjykatësin në orën e punës dhe që marrin qira për mijëra metra katror plazh. Flasim për njerëz të tjerë me influencë “X” apo “Y”. Po punojmë ligjin e ri, siç e kemi premtuar dhe regjimi mbi vijën bregdetare do të ndryshojë plotësisht.
Prioritet i pestë; Mbyllja e procesit të legalizimeve për shtëpitë, - e theksoj për shtëpitë, jo për bizneset - dhe legalizimi përfundimtarë i tokës. Dhënia fund e torturës së njerëzve në Malësinë e Madhe, në Tropojë, në Kukës, në Tepelenë, në Qarkun e Gjirokastrës, në Qarkun e Vlorës etj., që nuk e njohin 7501-in, nuk e duan dhe mbi të gjitha nuk kanë konflikte. Janë kthyer në tokat e të parëve, kanë dakordësi të plotë për kufirin, por me atë tokë nuk bëjnë dot asgjë, as e shesin dot, as e zhvillojnë dot, as përfitojnë dot nga mbështetja, qoftë shtetërore, qoftë e BE-së, për të gjithë zërat e granateve apo kredive në zhvillimin rural, sepse janë pa titull pronësie, 30 vjet.
Unë vetë personalisht kam 6 vjet që çdo vit bëj nuk e di sa mbledhje si zgjidhet kjo dhe mbas çdo mbledhjeje dal më i paqartë sesa mbledhja paraardhëse. Tani, me sëpatë, kjo pritet dhe të gjitha tokat që nuk janë në konflikt, brenda vitit 2021 duhet t’u jepen njerëzve.
Ashtu sikundër historia e legalizimeve është një histori suksesi në një aspekt dhe dëshpërimi në aspektin tjetër. Do të kemi një event të veçantë për legalizimet, por parimi themelor është ky, shtëpitë në fshat do legalizohen të gjitha, në total. Shtëpitë në qytet, aty ku janë të parealizueshme për arsye që do t’i shpjegojmë, do të regjistrohen. Me një përjashtim të akseve kombëtare, ku nuk mund të ketë legalizim, nuk mund të ketë regjistrim, nuk mund të ketë asnjëherë asnjë lloj shantazhi ndaj shtetit, sepse nuk ka shans njeri që t’i marrë lekë buxheti të shtetit, të fusë dorën në xhepat e të tjerëve, për të mbajtur peng aksin kombëtar dhe për të marrë lekë shpronësimi aty ku s’i takon. Ndërkohë që të gjitha të tjerat shpronësohen. Çfarë ti them zonjës në Unazën e Re, që thoshte qeveria e poshtër më dha 130 milionë lekë. Sa donte zonja? 130 milionë lekë sepse i takonte.
Prioriteti i gjashtë; Lidhet me domosdoshmërinë tonë për të pasur një produkt final, - konkret, në mos final, - deri fund të mandatit, është transformimi i infrastrukturës së universitetit. Kampusi Universitar duhet të jetë kantier. Akademia e Sigurisë e Policisë së Shtetit duhet të jetë kantier. Akademia e Arteve duhet të jetë kantier.
Tirana duhet të këtë infrastrukturën e re universitare që të jetë njësoj si stadiumi në krahasim me rajonin. Siç sot kemi stadiumin më të bukur në rajon, të kemi Kampusin Universitar më të bukur në rajon, brenda mandatit.
Prioriteti i shtatë; shumë i rëndësishëm, Shengeni Rajonal. Do të bëjmë një event të veçante për këtë, por dua të them se kush është kudër Shengenit rajonal, nuk kupton asgjë. Asgjë fare. Kur them nuk kupton, nuk kupton nga çdo pozitë, që nga pozita më nacionaliste deri tek pozita më liberale, të themi. Një gjë është e sigurt, Shengeni Rajonal është një vizion dhe një këmbëngulje nga ana ime, nga ana jonë, qysh në ditën e parë të Procesit të Berlinit. Ka qenë i penguar deri para pak muaj nga Presidenti i Serbisë, me të cilin unë kam bërë pafundësi debatesh dhe komunikimesh për këtë. Nuk mund të bëjmë dot një marrëveshje rajonale mbi tregtinë, nëse nuk bëjmë një marrëveshje rajonale mbi lëvizjen e lirë të njerëzve. Aha, domethënë që do bashkohet Shqipëria me Kosovën? Domethënë do hapet kufiri?
Sepse marrëveshje e lëvizjes së lirë të njerëzve do të thotë që kufiri i sotëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, ai kufiri që sa herë është thënë që do ta hapim, është aty akoma, të hapet. Dhe nuk po flas për të gjithë efektet e të mirat e tjera. (Nuk po flas këtu, sepse duhet bërë në një takim të veçantë dhe do ta bëjmë.) Sepse kjo e forcon Kosovën dhe Shqipërinë, nuk e dobëson. Sepse kjo e vendos Kosovën në një pozicion më të favorshëm edhe me Serbinë, nuk ke dobëson. Sepse politika e mbylljes dhe politika vetërrethimit është politikë vetëvrasëse për Kosovë.
Natyrisht, gjëja më e lehtë është të bësh patriotin me pizhama, të rrish në shtëpi dhe të thuash “me të poshtrit dhe armiqtë ne...” Por historia nuk shkruhet duke ndenjur në shtëpi dhe duke bërë patriotin me pizhama. Sot ka plot që nuk e kuptojnë, do ta kuptojnë nesër. Ne nuk jemi zgjedhur për të ndjekur ata që nuk kuptojnë. Ne jemi zgjedhur për të udhëhequr. Ne nuk jemi zgjedhur që çdo gjë që bëjmë, t’i pëlqejë gjithmonë shumicës. Ne jemi zgjedhur që, edhe kur shumica nuk është dakord, sepse nuk i pëlqen diçka, por ama ne e shohim, të udhëheqim drejt asaj që shohim", tha Rama.
TE SHOHIM CDO TE NDODHE ME BREGDETIN E DURRSSI DO TA LEJOJE DAKO/ Nice/ LUL BERISHA / organizate kriminale te Durresit
PërgjigjuAMAN O EDO VEJ RREGULL TEK PRONAT,,,MOS I LEGALIZO MALOKET,,,SE I KANE BERE SHTEPITE MBI PRONAT E TE TJEREVE,,,DHE SHKATARRO CDO GJE(PALLAT-SHTEPI) NE PLAZH QE ESHTE PA LEJE,,DHE QE KA HYRE NE RERE,,APO PRISH URBANISTIKEN DHE ESTETIKEN NE PLAZH,,,,TEK TURIZMI DUHET VEMENDJE MAKSIMALE....... KUR TE KESH PRISHUR 3 MILION NDERTESA NE GJITHE SHQIPERINE,,ATHERE E KE MBARUAR PUNEN...
Përgjigju