Nga 1 janari, Serbia lejon lëvizjen e makinave me targat e Kosovës në territorin e saj

Nga 1 janari, Serbia lejon lëvizjen e makinave me targat e Kosovës në territorin e saj

Makinë me targa të Kosovës

Qeveria e Serbisë tha se nga një janari i vitit të ardhshëm, do të lejojë lëvizjen e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës nëpër territorin e saj.

Aktualisht qytetarët e Kosovës që lëvizin nëpër territorin e Serbisë me targa të Kosovës, mbulojnë pjesën ku shkruan RKS me letër ngjitëse.

Vendimi u publikua nga shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një konference shtypi në Beograd, gjatë se cilës tha se me këtë Serbia po respekton marrëveshjen e arritur në vitin 2011 në Bruksel për lëvizjen e lirë dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave për serbët e Kosovës.

“Vendimi në fakt ishte detyrim ynë nga marrëveshja për lirinë e lëvizjes nga viti 2011, e nënshkruar nga Borko Stefanoviç, e cila u referohet targave RKS-së dhe letërnjoftimeve të Kosovës, pranimit të patentë shoferëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjeve të atëhershme dhe qëndrimi i asaj qeverie ndaj serbëve dhe dialogut”, tha ai.

Marrëveshja duhej të zbatohej deri në fund të vitit 2011 por zhvillimet në terren e pamundësuan atë.

Zyrtari serb tha se vendimi i sotëm “do të jetë një shtysë shtesë jo vetëm për 'Ballkanin e Hapur', por do t'ua lehtësojë jetën serbëve në Kosovë, pasi ata përdorin më së shumti vendkalimet kufitare. Në fakt i kemi ndihmuar që të lëvizin dhe të jetojnë normalisht, sepse liria e lëvizjes është e nevojshme, ndryshe nga (kryeministri Albin) Kurti, i cili shkel lirinë e lëvizjes, siç shkel çdo ditë të drejtat e serbëve në Kosovë”, tha ai, duke nënvizuar se me njohjen e targave të Kosovës shteti serb po e njeh edhe pavarësinë e saj.

“Është një vendim i rëndësishëm dhe domethënës që tregon qartë se nuk ka njohje të Kosovës dhe se nuk ka anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe në organizatat dhe agjencitë tjera të OKB-së... Le të negociojmë dhe të diskutojmë në drejtim të kompromisit, por në asnjë mënyrë njohje apo anëtarësimin e Kosovës në OKB”, tha Petkoviç.

Autoritetet serbe thanë se do të vendosin njoftime në vendkalimet kufitare në të cilat thuhet se mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së "Kosovës",

Në gusht të vitit të kaluar Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Më 15 dhjetor ndërkaq skadoi afati i fundit për banorët serbë në veri të Kosovës që të zëvendësojnë targat e makinave të tyre të lëshuara nga Serbia me targa të Republikës së Kosovës. Sipas autoriteteve të Kosovës rreth 4 mijë e 200 janë me targa të reja, ndërsa shumë të tjerë i kanë regjistruar makinat e tyre në Serbi dhe lejohen t'i përdorin ato edhe në Kosovë sikurse targat e çdo vendi tjetër të huaj.

Autoritetet kishin shtyrë disa herë afatin për regjistrimin e makinave për t’u dhënë më shumë kohë qytetarëve në veri të Kosovës, të cilët që nga paslufta kanë përdorur targa të lëshuara nga autoritetet serbe me emërtime të qyteteve të Kosovë.

Çështja e targave të makinave shpeshherë ka çuar në tensione të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndërsa ka shtyrë diplomatët perëndimorë për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon posaçërisht pas ngjarjeve të 24 shtatorit në veri të Kosovës. Ndërsa Prishtinës i kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Beogradit i kërkohet të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?



×

Lajmi i fundit

Biden thumbon Trumpin në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë

Biden thumbon Trumpin në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë